Nga Alastair Campbell

Prej 14 vitesh vizitoj rregullisht Shqipërinë. Kjo marrëdhënie e qëndrueshme filloi kur Edi Rama, atëherë lider i opozitës, sapo kishte humbur një palë zgjedhje që ai i quante të manipuluara, dhe më kërkoi ndihmë për të ndërtuar strategjinë për zgjedhjet e ardhshme. Ai fitoi bindshëm dhe u bë kryeministër në vitin 2013. Tani, në maj 2025, ai sapo ka fituar mandatin e tij të katërt – një arritje mbresëlënëse për çdo lider në botën moderne demokratike.

Festimet sapo kishin përfunduar kur Rama priti Samitin e fundit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë – një shenjë e qartë që Shqipëria kishte zënë vendin e saj në skenën ndërkombëtare. Emmanuel Macron, Friedrich Merz, Keir Starmer, Recep Tayyip Erdoğan, Volodymyr Zelensky, Giorgia Meloni, Ursula von der Leyen… të gjitha figurat kryesore evropiane erdhën në një vend që shumica e tyre e kishin shmangur për dekada. Madje, Starmer ishte kryeministri i parë britanik në detyrë që vizitonte vendin.

Me nje gjatesi gati dy metra. Rama dominonte – si fizikisht, ashtu edhe politikisht – në atë ngjarje. Vetëbesimi i tij dhe i vendit të tij ishte i dukshëm. 47 liderë evropianë mbërritën në aeroportin me rritjen më të shpejtë në Evropë. Ata u pritën me një film të realizuar nga inteligjenca artificiale, ku secili prej tyre (si fëmijë), një nga një, thoshte: “Mirë se vini në Shqipëri.” Edhe Erdoğan qeshi.

Vendndodhja e ndërtuar enkas për samitin ishte zbukuruar me letër murale të bazuar në vizatimet me stilolaps që Rama, dikur artist para se të hynte në politikë, i bën gjatë punës së tij. Një prej tyre, mund të them me kënaqësi, është i imi – duke hipur mbi një kalë në betejë, me një shpatë në njërën dorë dhe një telefon në tjetrën.

E gjithë ngjarja dha një mesazh të qartë: Shqipëria nuk po kërkon më thjesht një vend në tryezë – ajo është gati ta ndërtojë vetë tryezën. Perspektiva për anëtarësim në BE deri në vitin 2030 është reale dhe e rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por për Evropën, sepse zgjerimi sjell më shumë siguri dhe bashkëpunim më të thellë kundër paqëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor dhe forcave të rrezikshme ruse.

Por anëtarësimi në BE nuk fitohet vetëm përmes ambicies. Ai fitohet përmes vlerave demokratike, reformave dhe mbi të gjitha, përmes sundimit të ligjit. Dhe pikërisht këtu lind tensioni. Shqipëria ka bërë përparime të vërteta në reformën në drejtësi, e domosdoshme për të riparuar dëmet që i janë shkaktuar reputacionit të saj nga korrupsioni.

Krijimi i SPAK – Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar – ishte një hap historik. Ai u krijua me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së dhe, duke vepruar i pavarur nga qeveria, ka sjellë rezultate dramatike: zyrtarë të lartë, ministra dhe deputetë kanë qenë mes të pandehurve. SPAK e ka bërë të qartë: korrupsioni nuk kalon më pa pasoja.

Por me pushtetin vjen edhe përgjegjësia; dhe me pushtetin gjyqësor, barra është edhe më e rëndë – të veprosh me drejtësi, proporcionalitet dhe transparencë. Kjo është arsyeja pse ajo që po ndodh me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duhet të na shqetësojë të gjithëve.

Unë e njoh Veliajn po aq gjatë sa Ramën. Një koleg i Partisë Socialiste dhe ish-bashkëpunëtor i Ramës, ai shihet gjerësisht si një pasues i mundshëm. Sipas SPAK-ut, ai ka drejtuar një skemë të ndërlikuar ryshfeti dhe pastrimi parash përmes një rrjeti OJF-sh dhe kompanish të kontrolluara nga gruaja dhe vëllai i tij. Nëse është e vërtetë, është një skandal, dhe ai meriton të ndëshkohet.

Por vetem NËSE. Ai ka më shumë se 100 ditë që mbahet në paraburgim pa akuza zyrtare, pa e ditur se për çfarë pritet të akuzohet, ndërkohë që vazhdon të jetë kryetar bashkie dhe pritet të drejtojë punët ne kryeqytet. E gjithë kjo vjen nga SPAK – institucioni që supozohet të mbrojë sundimin e ligjit, jo ta komprometojë atë. Reforma në drejtësi nuk duhet të kthehet në tejkalim të drejtësisë. Lufta kundër korrupsionit nuk duhet të bëhet pretekst për veprime arbitrare.

Bashkimi Evropian nuk duhet të mbyllë sytë para kësaj çështjeje. Sepse nëse procesi i anëtarësimit ka ndonjë kuptim, ai duhet të mbështesë vlerat mbi të cilat është ndërtuar Unioni: procedurat e rregullta, integritetin gjyqësor, të drejtat e njeriut. Asnjë zyrtar, pavarësisht pozitës së tij, nuk duhet të jetë imun ndaj hetimit. Por asnjë qytetar, sado i njohur, nuk duhet të mbahet i ndaluar pa akuza apo pa ndjekur procedurat ligjore. Jo në një demokraci. Jo në një vend që aspiron të bëhet pjesë e Evropës.

Ajo që pamë në Samitin EPC ishte një vend që po shpalos me vetëbesim kredencialet e tij evropiane. Por Shqipëria nuk do ta fitojë vendin në BE përmes shfaqjeve apo fjalimeve të zjarrta, por përmes substancës së saj demokratike – e kjo, tani, po vihet në provë.

Ka ardhur koha për qartësi. Nga Brukseli. Nga vendet anëtare. Nga të gjithë ata që e duan të ardhmen e Evropës. Paraburgimi arbitrar nuk ka vend në një demokraci evropiane. Dhe nëse Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë e klubit të BE-së – një qëllim që ka çdo të drejtë ta synojë – atëherë si ajo, ashtu edhe institucionet që mbikëqyrin procesin e saj të modernizimit dhe anëtarësimit, duhet të ndjekin rregullat e këtij klubi, jo thjesht politikën e tij. Sepse në fund, sundimi i ligjit nuk është thjesht një kuti për t’i vendosur një kryq. Është themeli mbi të cilin ndërtohet çdo gjë tjetër.

“Mos shko në shtrat pa mësuar diçka që nuk e dije kur u zgjove në mëngjes.” – një nga rregullat e mia të vogla të jetës, për të më mbajtur gjallë kureshtjen dhe të tjen për dije. Dhe ajo që mësova të martën e kaluar, duke folur në një aktivitet në Leeds Civic Chambers, është se 900,000 fëmijë në Angli jetojnë në atë që quhet “varfëri krevati”.

Në po të njëjtën ngjarje foli edhe Bex Wilson, zëvendësdrejtore në një shkollë fillore në një zonë të varfër të Lidsit. Ajo tregoi historinë e një bisedë me një djalë 11-vjeçar që po shfaqte shenja lodhjeje. “Jam gjithmonë i lodhur, mësuese,” i tha ai. “Nuk kam një krevat.”

Më pëlqejnë historitë ku njerëzit nxjerrin të mirën nga e keqja. Ai djalë tani ka një krevat, falë përpjekjeve të mësueses që kontaktoi një prodhues krevatesh. Dhe Bex, një forcë e vërtetë e natyrës, themeloi një organizatë bamirësie, Zarach, me synimin që çdo fëmijë të ketë një krevat ku të flejë. Është tragjike që një gjë e tillë është e nevojshme në Britaninë e vitit 2025. Por me më shumë se katër milionë fëmijë britanikë që rriten në varfëri, për fat të keq, është vërtet tragjike.

Të nesërmen vizitova Lidsin për të drejtuar një panel gjatë një aktiviteti të UKREiiF, Forumi Britanik për Investime në Infrastrukturë në Pasuri të Paluajtshme, ku morën pjesë 16,000 vetë. Fillova diskutimin duke kërkuar që të ngrinin dorën ata që besonin se premtimi i Laburistëve për të ndërtuar 1.5 milionë banesa gjatë këtij mandati parlamentar do të përmbushej.

Nga qindra pjesëmarrës në diskutimin për strehimin, askush – përveç një nëpunësi civil që ndoshta ndjeu se duhej – nuk e ngriti dorën. Perceptimi i përgjithshëm ishte se mezi do të arrigej gjysma. Mjaft shqetësuese kjo gjë.

Kësisoj. përfundova duke marrë pjesë në pesë aktivitete në Festivalin Letrar të Hay-t, përfshirë intervistat me zëdhënësin e mëparshëm të Donald Trump, Anthony Scaramucci, dhe Yulia Navalnaya, e veja e Alexei Navalnyt – viktimë e regjimit vrasëtar të Vladimir Putinit. E para ishte argëtuese, e dyta thellësisht prekëse, dhe u shoqërua me ovacione për guximin e saj si në fillim, ashtu edhe në fund.

Gjithashtu më pëlqeu shumë sesioni me nxënësit nga shkollat shtetërore të Uellsit – të gjallë, plot pasion dhe, në rastin e atyre që dolën vullnetarisht në skenë për të mbajtur fjalime të papritura para 1,500 adoleshentëve, jshtëzakonisht brilantë. Laburistët janë të angazhuar për të ulur moshën për të votuar në 16 vjeç. Unë do ta ulja edhe më shumë.

ARTIKULLI