Kryeministri Edi Rama ka pritur këtë të enjte presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, i cili ka ardhur në Shqipëri në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Europian që do të zhvillohet ditën e nesërme në Tiranë.
Pas një takimi “kokë më kokë”, Rama dhe Costa po mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp
“Presidenti i KE është përsëri në Tiranë dhe është një kënaqësi e veçantë për ne dhe, ndoshta edhe personalisht, është kënaqësi që të ritakohem me presidentin, i cili është një mik i dashur dhe shumë i mençur, i dashur. Antonio, shumë faleminderit. Ne jemi këtu sot pasi presidenti ka vizituar të gjithë rajonin dhe është ndalur në Tiranë edhe për faktin që nesër do të jetë i pranishëm në takimin në Samitin e Komunitetit Politik Europian. Natyrisht që diskutuam për të dyja aspektet që na lidhin me Këshillin Europian dhe Bashkimin Europian: për aspektin e procesit tonë të rrugës drejt anëtarësimit, që po ecën shumë mirë. Sot Shqipëria është zyrtarisht në tryezën e negociatave, me 16 kapituj të hapur, 8 të tjerë do të hapen ditët në vijim, synojmë t’i hapim të gjitha brenda këtij viti, dhe siç e kam ndarë edhe publikisht gjatë gjithë fushatës, plani i përbashkët me BE dhe i mbështetur me vendet anëtare është të mbyllim negociatat brenda 2027. Është një plan ambicioz, por një mundësi e jashtëzakonshme për ne, pasi janë rreshtuar yjet në një farë mënyre dhe BE sot, si asnjëherë më parë, është shumë i dëshiruar të pranojë anëtarë të rinj, por natyrisht bazuar në meritë dhe rezultat.
Aspekti tjetër për të cilin folëm me Presidentin është ecuria në tërësi e rajonit, dhe kjo është arsyeja pse BE është në një gatishmëri më të lartë për të pranuar edhe anëtarë të tjerë. Ftoj të gjithë kolegët e rajonit, miqtë e mi, që të mos e humbasin këtë moment që historia na e ka sjellë në derë dhe ta shfrytëzojmë maksimalisht këtë gatishmëri të BE-së, pa harruar që historia e ka treguar se procesi i zgjerimit mund të shpejtohet në këtë moment dhe të ngadalësohet nëse humbim vite.
E fundit që dua të theksoj është se më vjen mirë që këtu kemi një mike të shtrenjtë të Shqipërisë. Në fakt, përkufizimi nuk është mike por ish-mike, sepse tani më është shqiptare nga Italia, Frederica Mogherini, që nuk e kuptoj akoma pse nuk ka bërë aplikimin për pasaportën europiane, vetëm një justifikim ka: që pret të marrë pasaportën europiane të Shqipërisë”,-tha Rama në fillim të fjalës së tij.
Costa tha se rezultati i zgjedhjeve konfirmoi dëshirën e shqiptarëve për t’u integruar në BE.
47 liderë nga i gjithë kontinenti do të zbarkojnë në kryeqytetin tonë, për takimin e 6-të të Komunitetit Politik Evropian, i cili e nis zyrtarisht punën nesër në orën 11:00, për të përfunduar më pas në orën 18.30 me konferencën përmbyllëse.