Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot Presidenten e Republikës së Moldavisë, Maia Sandu, të cilën e uroi për rizgjedhjen e saj.
Begaj ritheksoi se Shqipëria është në mbështetje të popullit të Moldavisë, i cili vazhdon të luftojë për demokraci, begati dhe të ardhmen e tij në Evropë në këto kohë sfidash që vijnë nga agresioni rus ndaj Ukrainës.
Kreu i Shtetit vlerësoi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, duke theksuar nevojën për intensifikimin e dialogut politik përmes shkëmbimeve të vizitave në nivel të lartë.
Begaj shprehu, gjithashtu, interesin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe me fokus zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, turizmit dhe në fushën kulturore.