Pas humbjes së thellë, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha nuk njeh zgjedhjet e 11 majit. Një ditë më parë, kreu i PD kishte lënë të nënkuptuar se nuk do ta njihte këtë proces, por sot e tha drejtpërdrejtë se nuk “ne nuk bëhet fjalë kurrë që të pajtohemi me këto zgjedhje.”

Përballë gazetarëve, Sali Berisha hodhi akuza se zgjedhjet e 11 majit u diktuan nga krimi dhe se janë zgjedhjet më grabitura, plaçkitura dhe dhunuara në gjithë historinë.

“Zgjedhjet e 11 Majit u diktuan që të gjitha nga krimi. Bandat kriminale të qeverisë ishin aktive në 10 qarqe të Shqipërisë, në 20 bashki të vendit dhe ato patronuan 30 deputetë të mazhorancës kriminale. Skenat që ju patë në Vorë, ku banda e Xhabaftit diktoi në mënyrë të dhunshme vullnetin e qytetarëve të Vorës, në të cilat zgjedhje, kryebanditi Blendi Xhabafti, mori vota dhjetë herë më shumë se kandidati dytë në lista. Kuptoni vetë se si janë zhvilluar zgjedhjet”, tha Berisha.

Sic ka ndodhur rëndom në historinë e PD, mospranimi i rezultatit humbës shoqërohet po ashtu me paralajmërime për protesta. Berisha thirri protestë më datë 16 maj, ora 17:00, ditën që në Tiranë do mbahet Samiti i Komunitetit Politik Europian, që do të mbledhë në Shqipëri liderët e BE.

“Libri i zi i këtyre zgjedhjeve shkruhet me datën 16 në ora 17:00 në Bulevardin e Parë për të sensibilizuar opinionin publik botëror mbi krimet monstruoze të përbindëshit elektoral Edi Rama, që nuk respekton asnjë rregull, asnjë ligj kombëtar dhe ndërkombëtar për zgjedhjet. Protesta do të jetë paqësore. Ne garantojmë se nuk do ketë probleme që të cenojnë në shkallën më të vogël sigurinë e dinjitarëve që vijnë, por duam që ata të mësojnë se kanë qenë të ftuar nga një narkodiktator që nuk njeh ligj as moral për votën dhe vullnetin e qytetarëve të tij”, tha Berisha.

Data nuk është një ditë e zakonshme. Më 16 Maj, në Tiranë do të organizohet samiti i komuniteti politik europian. Udhëheqësit e 47 vendeve do të mblidhen për të diskutuar në një strukturë të posaçme, të ngritur për këtë aktivitet në lulishte pas monumentit të Skendërbeut.

Në dhjetor të vitit 2022, Berisha zgjodhi të zhvillojë protestë pikërisht në ditën kur në kryeqytet mbahej samiti BE-Ballkani Perëndimor. Në atë kohë ai e organizoi atë ngjitur me perimetrin e sigurisë së samitit. Këtë herë ka zgjedhur ta bëjë disa qindra metra më tutje.

Rikthimin pas 12 vitesh në pushtet, me non gratën mbi supe, Berisha nuk e mori, por po sot Berisha konfirmoi po ashtu se nuk ka ndërmend të largohet nga drejtimi i Partisë. Ndoënse ka qenë ai vetë që ka përfshirë në statut, në kohën e Rithemelimit, nenin që e bën automatik largimin e kryetarit të partisë në rast të humbjes së zgjedhjeve parlamentare.

“Këtë betejë, gjer në fitore ai që e nisi dhe do ta bitisë…”, tha Berisha.

“Beteja për votën e lirë. Prevalon mbi të gjitha. Asgjë nuk mund ta ndalë PD në këtë betejë”, tha Berisha.

Pika 8 e nenit 46 të statutit të Partisë Demokratike e ka të sanksionuar qartë se në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për kryetarin. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie. Nëse do të merret i mirëqenë statuti i PD-së, në fund të numërimit të plotë të votave, Sali Berisha do të ishte automatikisht i shkarkuar nga kreu i partisë.

Pika 8 e nenit 46 të statutit të Partisë Demokratike
Berisha dha edhe pretendimet e tij se përse nuk njeh zgjedhjet, duke thënë se bandat kriminale të qeverisë ishin aktive në 10 qarqe të Shqipërisë, në 20 bashki të vendit. Sipas Berishës, votat u blenë me zarfe 100 euro, ndërsa u ndal edhe tek VKM e miratuar nga Këshilli i Ministrave për procedurat për që do të ndjekin institucionet përkatëse për ligjin për faljen e gjobave. Berisha tha se Rama përdori amnistinë 200 mln euro për faljen e gjobave, ndërsa një ditë më parë pwr këtë shifër tha se ishte 150 mln euro.

“Në çdo aspekt këto ishin zgjedhjet më të grabitura, më të plaçkitura dhe më të dhunuara në tërë historinë elektorale të Shqipërisë pluraliste. Kurrë ndonjëherë bandat nuk kanë prurë kaq shumë përfaqësues të tyre në parlamentin shqiptar sa në këtë parlament. Nga veriu në jug, nga lindja në perëndim.

Mund t’u them ju se në rrethin e Durrësit, bandat punonin për deputetë të veçantë. Tjetër Balla, tjetër Dyrmishi, tjetër ky, tjetër ai. Dhe jo më pak në Elbasan kjo skemë. Po kështu në Fier, Mallakastër. Pra, këto ishin zgjedhje që u sunduan si asnjëherë më parë nga vrasës, seria killera, trafikantë, dhunues, përdhunues. Zgjedhjet e 11 Majit u karakterizuan nga blerja publike më masive në tërë historinë e zgjedhjeve në Shqipëri.

Zarfi me 100 euro, i dërguar në mes të fushatës elektorale dhe amnistia prej 200 milionë euro gjoba dhe kamata nga viti 2015 deri në vitin 2025, është blerja publike më e fuqishme që ka ndodhur në historinë e vendit. Dhjetëra mijëra hektarë kanabis që u dhanë licencat për t’u mbjellë. Çdo bimë kanabis me prodhim fitimi 1 mijë euro, është përllogaritur për blerje votash në mënyrën më të pamëshirë. Punësimi, punë për votë, u aplikua masivisht në këto zgjedhje. Sistemi kriminal i patronazhistëve, i futur në strofulla ose rreth qendrës së votimit, ishte një polici terroriste, ndaj zgjedhësve shqiptarë”, tha Berisha.

Berisha akuzoi edhe dy nëndrejtorë të SHISH se morën regjistrat e rrjetit agjenturor të Sigurimit të Shtetit dhe e aktivizuan atë për karrigen e Edi Ramës.