Një nga akuzat e përsëritura më shpesh nga Partia Demokratike ka qenë, vënia në zbatim nga shumica, e fenomenit të ashtuquajtur “treni bullgar”.
“Treni bullgar” nënkupton një teknikë klasike të mashtrimit zgjedhor. Mjafton që vetëm një fletë votimi, e paplotësuar, të dalë në mënyrë të paligjshme, jashtë qendrës së votimit. Sapo ajo del jashtë qendrës, plotësohet nga subjektet e interesuara për një kandidat a parti të caktuar. Fleta i jepet një votuesi me të cilin është rënë dakort paraprakisht për këtë skemë të paligjshme. Ai hedh në kuti fletën e paraplotësuar, ndërsa fletën që i jep komisioni zgjedhor, e fsheh dhe nxjerr sërish jashtë qendrës së votimit duke e dorëzuar te organizatori. Këtu rifillon cikli.
Organizatori plotëson fletën e re të marrë dhe ia jep votuesit tjetër, e kështu me radhë duke krijuar në këtë mënyrë “trenin”.
Kjo shprehje vjen nga praktika të shënuara në disa vende të Europës Lindore, përfshirë Bullgarinë në periudha të caktuara historike, prandaj ka mbetur me emrin “treni bullgar”.
Sali Berisha me të tijët nisi ta artikulojë këtë fenomen gjatë procesit të numërimit të votave, kur konstatoi disa fletë votimi të palosura në formë të ngjashme. Kjo sipas tyre, tregonte se fletët mund të ishin plotësuar jashtë dhe të ishin palosur nga e njëjta dorë, organizatori i trenit bullgar.
Sali Berisha tentoi dy ditë më parë, të enjten, të tregojë me figurë trenin bullgar.
Për këtë e ndihmoi deputeti i zgjedhur në Elbasan, Bledi Himçi, i cili si agjent hyn në lokalin e kryeplakut të fshatit Pekisht në Peqin, e filmon dhe e denoncon në polici. Arsyeja: 10 fletë votimi të gjetura në një tavolinë.
Pas filmimeve, Himçi doli krah kreut të PD-së, Sali Berisha për të denoncuar edhe publikisht në një konferencë tentativën e trenit bullgar. Por kur u pyet nga gazetarët a kishin apo jo fletët vula, deputeti pranoi edhe me zë atë që duhej qartë, se fletët ishin pa vula.
Gazetarja: Këto fletë votimi kishin vula?
Blendi Himçi: Nuk kam parë vula. Në pritshmëritë e personit pretendon se janë fletë.
Mungesa e vulës, edhe nëse fletët e votimit janë të plotësuara, e do të përfundonin në ndonjë kuti votimi, i bën ato të pavlefshme, pasi lehtësisht kontestohen nga çdo numërues.
Që këto fletë nuk ishin provë e fenomenit të trenit bullgar, u duk i bindur edhe vetë kryedemokrati Berisha, i cili tha se nuk do të bëjë denoncim në SPAK.
Policia vetë, e cila shkoi menjëherë të nesërmen e denoncimit të PD, në lokalin ku ishin filmuar fletët, deklaroi më pas se ato ishin të falsifikuara. Por një deklaratë e tullë nuk është bindëse për PD-në, e cila këtë të shtunë, sërish përmes deputeti Bledi Himçi, shkoi më tej duke kërkuar ekspertizë ndërkombëtare
Përdorimi i kësaj metode manipulimi u tentua t’i vishej edhe kreut të Partisë “Mundësia” Agron Shehaj, teksa luftonte ngushtë në vota me PD-në derisa siguroi mandatin e 2-të në Tiranë, duke i lënë PD-së 13 deputetë.
3 fletë votimi ku ishte votuar për Mundësinë pretendoheshin të ishin ndryshe nga të tjerat për shkak se kishin një ngjyrë më të zbehtë se fletët e tjera. Edhe në këtë rast u pretendua për të famshmin tren bullgar: Fletë të futura nga jashtë
Nga qendra e numërimit ku ndiqte procesin, Agron Shehaj kërkoi një provë të thjeshtë: Nëse fletë origjinale me vulat përkatëse të KQZ-së?. kaq i mjaftoi komisionerëve, që t’i shpallin këto 3 vota të vlefshme.
SKEMA E “TRENIT BULLGAR”
Fillimi i manipulimit
Dikush arrin të sigurojë (në mënyrë të paligjshme) një fletë votimi origjinale, të pa përdorur, nga një qendër votimi.
Plotësimi i fletës jashtë qendrës
Fleta e votimit plotësohet jashtë (për shembull me votë për një kandidat të caktuar).
Hyn votuesi i parë i blerë
Ky votues merr fletën e paraplotësuar dhe e fut në kuti, pa plotësuar fletën që i jep komisioni zgjedhor.
Votuesi e fsheh fletën e pastër
Në vend që ta plotësojë, ai e fsheh fletën e papërdorur që mori nga komisioni dhe e nxjerr jashtë, duke e dorëzuar te organizatori.
Rifillon cikli
Organizatori plotëson fletën e re të marrë dhe ia jep votuesit tjetër të blerë. Ky futet në qendër votimi, fut në kuti fletën e plotësuar dhe nxjerr një tjetër të pastër./SHQIPTARJA.COM