Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi vizitoi disa qendra votimi në Vorë, ku po zhvillohet procesi elektronik. Në një prononcim për mediat, Celibashi tha se procesi po vijon pa probleme në aspektin teknik.

“Nga komunikimet që patëm me anëtarët e KZAZ procesi zgjedhor është duke shkuar mirë. Për aspektin e përdorimit të teknologjisë s’ka pasur asnjë lloj problemi,. Në këto dy qendra votimi që vizituam nuk kishte asnjë problem. Shpresojmë që të vazhdojë kështu edhe për pjesën e mbetur të ditës dhe ky proces të përfundojë me sukses”, tha Celibashi.

I pyetur nga gazetarët lidhur me incidentin e Flamur Nokës në një nga qendrat e votimit në Vorë, ai tha se do ishte më mirë që problematikat të adresohen në KQZ. Sipas Celibashit, prania e përfaqësuesve politikë mund ta përshkallëzojë më tepër situatën.

“E raportuan edhe anëtarët e KZAZ këtë situatë nuk di të them për momentin se mbi ç’bazë ka ndodhur ai konflikt por një gjë mund ta them me siguri se është më me shumë dobi, e kuptoj të për momente të caktuara për procesi zgjedhor, por është më me dobi që përfaqësuesit politikë t’i adresojnë këto shqetësime në KQZ. Situatat nuk mund të përcillen kaq lehtë por e kam këshillë për të gjithë ata përfaqësues veçanërisht për ata kandidatë për deputetë sa më larg qendrave të votimit. S’kanë asnjë mundësi praktike ligjore për të kontribuuar në mbarëvajtjen e procesit. Angazhimi i tyre mund të prodhojë edhe pasoja për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.”