Nga Hermes Kafexhiu 

Në hijen solemne të Pallatit të Brigadave, në mes të barit që dikur shkelte mbreti, Edi Rama mbajti një nga fjalimet më të artikuluara politikisht, më të mbushura me sinjale të qarta dhe me paralajmërime të thella për të ardhmen politike të vendit. Nuk ishte një fjalim fitoreje, as një shfaqje entuziaste për një mandat të katërt që do ta kishin zili edhe partitë më të mëdha në kontinent. Ishte një manifest për ndryshim jo për rotacion, por për reformim të vetes, të qeverisë dhe të partisë. Ishte një mesazh për ata që dinë të dëgjojnë përtej fjalisë, për të kuptuar çfarë do të vijë më pas. Fjalimi i Ramës nuk ishte politik në kuptimin klasik.

Nuk ishte as për popullin, as për militantët. Ishte për strukturën. Për të gjithë ata që lëvizin brenda sistemit të PS-së, qeverisë dhe shtetit. Ishte një mesazh i ftohtë, loja e brendshme rifillon. Lëvizjet në qeveri janë në prag. Riorganizimi i partisë po ndodh. Dhe askush nuk duhet të ndihet i paprekshëm.

Kur Rama thotë se “PS nuk është qëllim, por mjet për të luftuar”, ai zhbën përfundimisht çdo iluzion mbi pushtetin si destinacion. Ai vendos qartazi që partia është një platformë, jo një stacion karriere. Dhe në këtë platformë, kush nuk e justifikon vendin, nuk do të ketë më vend.

“Kemi mandatin e katërt dhe do ta përdorim si fuqi vetëkorrigjuese.” Kjo fjali është thelbësore. Rama nuk po flet për reforma të mëdha në administratë, por për ndërhyrje kirurgjikale brenda PS-së dhe qeverisë. Ai po thotë hapur se mekanizmi ekzistues ka nevojë për riparim. Jo për shkak të presionit publik, por për të ruajtur funksionalitetin e vetvetes.

Kjo nuk është as kërkesë për reflektim, as autokritikë politike. Është një plan veprimi për të zëvendësuar lodhjen me efikasitet, konsumimin me rifreskim. Kush nuk funksionon, do të largohet. Kush ka funksionuar deri tani, mund të mos funksionojë më. Lojtarët do të përzgjidhen në bazë të nevojës, jo të emrit.

Segmenti për drejtësinë ishte një pjesë e ftohtë dhe teknike e fjalimit. Rama nuk tentoi ta mbrojë sistemin, as të sulmojë aktorë të veçantë. Ai bëri një konstatim, shteti ka humbur në gjykatë një proces të padobishëm dhe të çuditshëm 500 mijë euro për një përplasje makinash pa viktima.

Ky shembull nuk është i rastësishëm. Rama nuk po ankohet për vendime të papëlqyeshme, por po paralajmëron për një drejtësi që nuk i përgjigjet më as logjikës politike, as interesit shtetëror. Nga ana tjetër ai përsërit se duhet korrigjuar Ai e pozicionon veten jashtë kontrollit mbi vendimmarrjen gjyqësore dhe kërkon që këtë realitet ta kuptojnë edhe të vetët. Në përkthim të thjeshtë: gjyqësori nuk kontrollohet, por përballohet.

Nga ana tjetër, ai jep porosi për të mbështetur SPAK-un dhe për ta ruajtur si një strukturë të paprekshme. Nuk ka tone emocionale në këtë porosi. Është një urdhër i drejtpërdrejtë për vazhdim mbështetjeje të plotë dhe pa diskutim.

Ajo çfarë Rama thotë për opozitën nuk është as ironike, as agresive. Është përshkrim. “Univers paralel”, “humbës kronikë”, “mungesë alternative” janë fjalë që e zbërthejnë opozitën jo si rival, por si boshllëk politik që nuk prodhon më as tension zgjedhor.
Ai e paraqet rezultatin e 11 majit jo si sukses të jashtëzakonshëm të PS-së, por si produkt të mungesës së konkurrencës reale. Në këtë logjikë, nuk ka vend për vetëkënaqësi,fitorja është thjesht pasojë e një skene të njëanshme. Dhe kjo e bën situatën më të rrezikshme sesa duket.

Fjalimi i Ramës sot ishte një dokument menaxherial. I ftohtë, i ngurtë, i qartë. Ai nuk u përpoq të frymëzojë, por të vendosë drejtim. Nuk kishte retorikë emocionale, por porosi konkrete. Nuk kishte rrëfim historik, por planifikim funksional. Kjo ishte më shumë një mbledhje bordi se një fjalim politik.

Dhe në këtë ftohtësi qëndron forca e mesazhit, lëvizjet po vijnë, jo për të ndrequr imazhin, por për të ruajtur kontrollin e brendshëm dhe për të përgatitur terrenin për një fazë të re. Mandati i katërt nuk do të përdoret për të mbajtur pushtetin, por për të ricaktuar rregullat e brendshme të lojës. Dhe kjo është ndoshta faza më teknike, më e ndjeshme dhe më e rrezikshme e qeverisjes Rama deri tani.