Në Parkun Olimpik po vijohet më numërimin e votave të diasporës nga Greqia. Por, ajo çfarë ka ngjallur debat orët e fundit është se në disa qarqe kanë rezultuar më shumë fletë votimi se zarfe që kanë mbërritur në vendin tonë nga emigrantët.

Madje, pas humbjes së thellë në zgjedhje, opozita ka ngritur edhe dyshimet për një manipulim të mundshëm. Por, si është e vërteta? Duket se shkaku është krejt tjetër dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë një shpjegim shterues se nuk kemi të bëjmë me asnjë manipulim dhe se gjithçka është e regjistruar me provesverbal.

Kemi dy raste kur emigrantët kanë gabuar me mënyrën si e kanë kthyer fletën e votimit në Shqipëri. Përshembull, shumë emigrantë kur kanë kthyer fletën e votimit, nuk e kanë dërguar zarfin B, por kanë kthyer fletën e votimit të futur vetëm në Zarfin A. Sa i takon këtyre rasteve, vetë kryekomisioneri Ilirjan Celibashi në një konferencë për mediat dhe këtë sqarim.

“Një pjesë e votuesve nga jashtë nuk e kanë dërguar zarfin B, por kanë sjellë direkt zarfin A. Janë 2696 raste të administruara në kutinë e parregullt, ku 99.9% e këtyre rasteve lidhen me mungesën e zarfit B. E kemi hedhur manualisht si të dhënë, nuk është gjeneruar në mënyrë automatike se sistem”, tha Celibashi një ditë më parë.

Rasti tjetër kur emigrantët kanë gabuar, është kur e gjithë familja me të drejtë vote e ka futur fletën e votimit në të njëjtin zarf. Përshembull, një familje me 5 anëtarë që kanë të drejtë vote kanë futur 5 fletë votimi brenda vetëm një zarfi B, i cili është zarfi që skanohet nga KQZ.

Celibashi ka sqaruar se të gjithë këto fletë votimi i janë nënshtruar procesit të numërimit dhe kjo është arsyeja se përse në disa qarqe ka pasur fletë votimi më shumë se zarfe, por në asnjë rast nuk kemi të bejmë me manipulim.

Megjithatë për të gjithë këto fletë votimi është mbajtur procesverbal. Dhe madje KQZ, në faqen zyrtare ku pasqyrohen të dhënat e numërimit, ka lënë edhe një shënim sqarues ku shpjegon diferencën mes zarfeve të numëruar dhe zarfave të skanuar. Sqarimi jepet për secilin qark.

Sqarimi i KQZ për totalin e votave të diasporës në 12 qarqet deri në orën 12:00: Numëruar 194621 zarfa nga (¹)195140 të skanuar

(¹) në këtë shifër nuk janë reflektuar zarfet në kutitë e posaçme pasi ato nuk mund të skanohen në sistem

(¹) nuk janë reflektuar një pjesë e zarfave B të cilët nuk janë skanuar në pritje, por të administruar në kutitë e votimit, që po verifikohen manualisht me manifestin e DHL.