Nëse do të shkruhej një raport i sinqertë mbi gjendjen e drejtësisë në Shqipëri, ai nuk do të përmbante as grafika të ngjyrosura me “rezultate të arritura”, e as konferenca të fryra për “aksione spektakolare”. Do të përmbante heshtje. Jo si mjet reflektimi, por si provë bashkëpunimi. Sepse në Shqipërinë e vitit 2025, drejtësia nuk hesht nga turpi ajo hesht për hesap.
Operacioni i fundit i SPAK, i ashtuquajturi “URA”, i shpallur me zhurmë në një konferencë për shtyp që u duk më shumë si një spot elektoral se sa një moment llogaridhënieje, është shembulli më i qartë i drejtësisë së reklamës, pamje për publikun, por jo themele për shtetin.
Po ndërkohë që zyrat e SPAK-ut prodhojnë fletëarrestime me ritmin e printimeve mujore, pyetja themelore qëndron, ku është drejtësia në kohë reale? Pse çdo operacion ndodh vetëm pasi ka kaluar fushata, pasi janë mbledhur votat, pasi janë bërë pazaret?
Ky nuk është luftë kundër krimit është menaxhim i imazhit.
Le të mos mashtrohemi nga vetë-propagandat që thonë se janë identifikuar “16 grupe kriminale dhe 10 janë goditur”. Po sa prej tyre janë ndaluar kur kishin realisht pushtet, para, dhe ndikim mbi institucionet? Sa janë arrestuar pa u dhënë kohë të shesin pronat, të pastrojnë paratë, të ikin jashtë shtetit, të bëjnë marrëveshje?
Drejtësia nuk është kronologji e përshtatshme për shoë. Është ose e menjëhershme, ose e kompromentuar. Dhe ajo që po ndodh sot është e dyta.
Hetimet e “goditura” që mbështeten vetëm mbi biseda të vjetra nga SKY ECC një aplikacion që e ka bërë më shumë për pastrimin e drejtësisë sesa vetë prokurorët nuk janë provë e fuqisë së SPAK-ut. Janë dëshmi e varësisë së tij nga burime të jashtme, dhe paaftësisë për të ndërtuar çështje nga hetimi klasik në terren.
Kur një prokurori nuk i beson më policisë dhe i njofton operacionet me 24 orë vonesë, kjo nuk është kujdes është kapitullim institucional. Kur 13 të kërkuar largohen para aksionit, nuk është rastësi është dekonspirim. Dhe kur hetimet zgjaten deri sa të kalojë cikli elektoral, nuk është vonesë është kalkulim.
Ndërkohë, drejtësia për qytetarin e zakonshëm është më brutale se kurrë, arrestime për ndërtim pa leje, për një deklaratë në Facebook, për një gabim fiskal. Sepse te populli funksionon drejtësia e shpejtë. Por jo për ata që kanë miliona në kazanë dhe miq në kabinetë. Aty funksionon drejtësia statistikore, me dosje të shpjegueshme në grafikë Excel, por të paprekshme në realitet.
Po flasim për një SPAK që duket se ekziston për t’u dukur. Për të publikuar video të montuara me logo europiane, për të dhënë intervista me tone teknike, për të prezantuar rezultate me një gjuhë që i ngjan më shumë auditimit të një OJF-je, se një strukture anti-korrupsion.
Në këtë klimë, besimi nuk ka ku të ngjitet më. Ai është shembur bashkë me çdo premtim për reformë në drejtësi. Dhe nuk do të ndërtohet me konferenca shtypi, por me përgjegjësi, ndershmëri dhe veprim pa orar politik.
Në vend të përfundimit:
Nëse drejtësia e re do të jetë kjome deklarata pas kohe, me prova që vijnë nga burime të jashtme, me aksione që ndodhin pas pazarit të radhës atëherë nuk kemi të bëjmë me një urë drejt shtetit ligjor. Por me një urë që lidh krimin me pushtetin, dhe SPAK-un me statistikën.
Nëse kështu matet suksesi, atëherë Shqipëria nuk ka një sistem drejtësie. Ka një zyrë marketingu me fuqi penale.
Prandaj duhet të monitorohet.
Shkrim redaksional nga Hermes Kafexhiu, lidhur me analizën e operacionit të SPAK./Lexo.al