Një ditë më parë u bë publike dorëheqja e Alma Canit nga posti i drejtoreshës së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Pas një periudhe 14-mujore në krye të këtij institucioni, Cani vendosi të largohej nga detyra.

Në vend të saj është emëruar mjekja Donjeta Bali, një profesioniste e njohur dhe e respektuar me një karrierë të gjatë në shërbim të qytetarëve. Prof. Asoc. Donjeta Bali ka 23 vite që ushtron detyrën si mjeke pediatre onkohematologe në shërbimin e Onko-Hematologjisë Pediatrike pranë QSUT-së.

Përveç përkushtimit në korridoret e spitalit, dr. Bali është e njohur edhe në rrjetet sociale, përmes profilit të vajzës së saj, Keishli, një nga influencieret më të ndjekura në Shqipëri.

Keishli ka ndarë shpesh me ndjekësit momente me nënën e saj, duke treguar se dy vajzat e saj të vogla, Solen dhe Azura, janë ndjekur nga vetë gjyshja e tyre, dr. Donjeta Bali.

Madje, ajo ka postuar herë pas here edhe mesazhe mirënjohjeje nga nëna të tjera, të cilat kanë vlerësuar profesionalizmin dhe përkushtimin e doktoreshës Bali në kujdesin ndaj fëmijëve.

Më herët edhe ish-ministrja Ogerta Manastirliu ka shprehur konsideratën e lartë për drejtoreshën e re të QSUT-së.

“Kush e njeh dr. Donjetën, e di se puna e saj, por edhe dashuria për të vegjlit me sëmundje të rënda të gjakut, është e pakursyer. Prof. asoc. Donjeta Bali shërben prej 21 vitesh si mjeke Pediatre Onkohematologe në shërbimin delikat të Onko-Hematologjisë Pediatrike në Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, ku bashkë me të gjithë stafin, bëjnë të pamundurën, që shërbimi për këta fëmijë të jetë i gjithanshëm, në përpjekjen e përditshme për të shpëtuar jetë”, tha Manastirliu dy vite më parë.