Përfaqësuesja e Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Elena Duka Xhina, në një intervistë për emisionin “Studio Live” në Report Tv, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me ankimet e Partisë Demokratike në KAS dhe debatin për pamundësinë ligjore të kandidatëve për të ankimuar veçmas.
E pyetur nëse edhe PD u bashkua me PS për të rrëzuar kandidatët e saj, Duka theksoi se “është çështje zbatimi ligji dhe jo dëshirash politike”, duke sqaruar se Kodi Zgjedhor është i qartë kur thotë se ankimet mund të bëhen vetëm nga subjektet zgjedhore, jo nga individë.
“Pavarësisht dëshirës që mund të ketë PD për të përkrahur kandidatët e saj, është e pamundur nga pikëpamja ligjore. KAS në radhë të parë duhet të zbatojë ligjin, pastaj mund të diskutohen.”-tha ajo.
Nga ana tjetër Duka theksoi se rruga e vetme për kandidatët është ankimi në Kolegjin Zgjedhor, por edhe kjo, sipas saj, nuk pritet të ndryshojë gjë.
“KAS në radhë të parë duhet të zbatojë ligjin dhe pastaj janë pikëpamjet politike. Besoj se ata duhet ta ankimojnë në Kolegjin Zgjedhor që është shkalla e dytë e ankimimit, por që besoj do të jetë i njëjti përfundim pasi është përcaktim ligjor dhe askush nuk mund të dalë përtej ligjit.” -tha përfaqësuesja ligjore e PS
Duka tha se seancat në KAS janë kthyer në maratonë, pasi “të 12 qarqet janë ankimuar nga PD”, ndërkohë që vetëm një ankim ka ardhur nga partia “Mundësia”, edhe një tjetër nga Shqipëria Bëhet.
“Ankimimet janë pothuajse të gjitha nga PD, sot është dita e katërt që bëjmë seanca maratonë, ku të 12 qarqet janë ankimuar nga PD. Kemi pasur në këtë periudhë kohore vetëm një ankim, nga Partia Mundësia, edhe nga Shqipëria Bëhet, ndërkohë që të gjitha ankimet e tjera janë nga PD.”-vijoi Duka.
Në lidhje me pretendimet për votën e diasporës, përfaqësuesja e PS-së theksoi se PD po sjell vazhdimisht të njëjtat prova, pa asnjë element të ri apo fakt që të provojë pavlefshmëri.
“Nuk kemi asnjë rast që një qytetar të thotë ‘unë nuk kam votuar dhe më del që kam votuar’. PD nuk solli një ankesë që i shkoi vetë, por e mori në pikën e DHL. Askush nuk ka shfaqur një pavlefshmëri për këtë”, deklaroi Duka, duke shtuar se procesin e ka ndjekur nga afër dhe i njeh mirë të gjitha problematikat e ngritura.”-tha Duka.