TIRANË – Ndërsa rezultati vijon të numërohet dhe Sali Berisha ndodhet vetëm 8 vota larg sigurimit të mandatit të deputetit, një zhvillim i fundit ka sjellë alarm në radhët e opozitës.

Kryedemokrati ka shpërndarë një mesazh urgjent për çdo numërues dhe vëzhgues të opozitës, ku jepet urdhri i prerë: Nëse evidentohen fletë votimi me ngjyra të ndryshme, procesi të ndalet menjëherë!

Sipas burimeve nga selia blu, në Njësinë Administrative Nr. 9 në Tiranë janë konstatuar fletë votimi që ndryshojnë në ngjyrë, çka ka ngritur dyshime për parregullsi serioze në procesin zgjedhor.

“Numëruesit tanë në Njësinë Nr. 9 kanë gjetur fletë votimi me ngjyra të ndryshme nga njëra-tjetra. Çdo numërues dhe vëzhgues i yni të jetë shumë i kujdesshëm, të evidentojë menjëherë rastet dhe të ndalojë procesin e numërimit. Të njoftohen pa vonesë kandidati apo drejtuesit tanë”, thuhet në mesazhin e shpërndarë nga drejtuesit demokratë.

Opozita paralajmëron se do të ndjekë me vëmendje çdo zhvillim në këtë njësi, ndërsa rezultati mbetet tejet i ngushtë dhe çdo votë mund të jetë vendimtare.