Avokatët e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, kanë reaguar pas raportimeve mediatike dhe interesit të shtuar publik lidhur me një vendim të Gjykatës së Posaçme për sekuestrimin e një pasurie në një pallat në zonën e Selitës.

Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesit ligjorë theksojnë se Veliaj dhe Xoxa nuk janë pronarë të pasurisë së sekuestruar, as nuk kanë ndonjë lidhje pasurore apo ligjore me kompaninë “A.K.” shpk, subjekt ndaj të cilit është vendosur masa e sekuestrimit.

Sipas tyre, apartamenti i Ajola Xoxës, ku çifti banon, është krijuar para martesës dhe nuk ka qenë asnjëherë objekt hetimi apo sekuestroje nga ndonjë autoritet ligjzbatues.
“Theksojmë se është në të drejtën ligjore të organit të akuzës të kryejë hetime, por dyshimet e ngritura duhet të bazohen në fakte konkrete dhe prova të verifikueshme, në respekt të parimit të prezumimit të pafajësisë dhe të drejtave themelore të individit,” thuhet në deklaratë.

Avokatët shtojnë gjithashtu se pasuritë e deklaruara nga Veliaj dhe Xoxa janë në përputhje me legjislacionin në fuqi, si para ashtu edhe pas martesës, dhe se ata kanë qenë gjithmonë bashkëpunues me institucionet.
Deklarata mbyllet me një kërkesë ndjese ndaj banorëve të tjerë të pallatit, duke theksuar se “i vetmi ‘faj’ i çiftit është se banojnë në të njëjtin pallat” me pasurinë që është vënë në sekuestro.

Deklaratë e avokatëve të z. Erion Veliaj dhe znj. Ajola Xoxa:

Në vijim të raportimeve mediatike dhe interesit të shtuar publik lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal nr. 27 të vitit 2024, sqarojmë si më poshtë:

As z. Erion Veliaj dhe as znj. Ajola Xoxa nuk janë pronarë të kësaj pasurie të sekuestruar dhe nuk kanë asnjë lidhje pasurore apo ligjore me subjektin tregtar “A.K.” shpk, e as me pasurinë që është objekt i masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”.

Pasuria e paluajtshme në pronësi të znj. Xoxa është apartamenti ku ata banojnë, në zonën e Selitës, krijuar para marteses dhe ky apartament nuk është dhe nuk ka qenë në asnjë moment objekt hetimi apo sekuestrimi nga ndonjë autoritet ligjzbatues.

Theksojmë se është në të drejtën ligjore të organit të akuzës të kryejë hetime, por dyshimet e ngritura duhet të bazohen në fakte konkrete dhe prova të verifikueshme, në respekt të parimit të prezumimit të pafajësisë dhe të drejtave themelore të individit.

Z. Veliaj dhe znj. Xoxa kanë deklaruar pasuritë e tyre, si para, edhe pas martesës, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe kanë qenë gjithmonë bashkëpunues me institucionet përgjegjëse.

Çdo përpjekje për të deformuar realitetin dhe për të lidhur emrin e tyre me çështje që nuk kanë asnjë bazë ligjore përbën keqinformim të opinionit publik dhe sulm ndaj figurës publike të z. Veliaj, për çka do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e reputacionit dhe zbardhjen deri në fund të së vërtetës.

Ju kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim të krijuar komshinjve të çiftit Veliaj-Xoxa dhe i vetmi “faj” i tyre është se banojnë në të njëjtin pallat me këto të fundit.