Një mbrëmje e mbushur me muzikë, spektakël dhe energji, por edhe me tensione dhe protesta. Eurovision 2025 në Bazel u fitua nga Austria me këngëtarin me origjinë filipinase, JJ me këngën “Wasted Love”. Me një zë kontratenor të veçantë dhe një skenografi që përshkruante një varkë në mes të skenës, JJ emocionoi audiencën dhe juritë evropiane me një baladë për një dashuri platonike dhe të parealizuar.
Austria arriti një total prej 436 pikësh, duke marrë 179 pikë nga televotimi i publikut dhe duke qenë një nga këngët më të vlerësuara edhe nga juritë profesioniste të vendeve pjesëmarrëse.
Në vendin e dytë u rendit Izraeli me 357 pikë, në një edicion të shënuar nga përplasjet në qendër të qytetit të Bazelit mes policisë dhe protestuesve pro-palestinezë, disa prej të cilëve tentuan të hynin edhe në skenë gjatë performancës së këngëtares izraelite, Yuval Raphael.
Në vendin e tretë u rendit Estonia me 356 pikë. Shqipëria u pozicionuar në vendin e 8-të me 218 pikë, prej të cilave 173 pikë erdhën nga publiku.
Në skenën e Eurovision 2025 në Bazel, Shqipëria u paraqit me një performancë dinamike që tërhoqi vëmendjen e publikut europian. Shkodra Elektronike interpretoi këngën “Zjerm”, një krijim unik që bashkoi elementë të muzikës elektro-pop me motive tradicionale shqiptare.
Performanca u karakterizua nga energji dhe një vizualitet që solli në skenë simbole kombëtare në një formë bashkëkohore. “Zjerm” u dallua për stilin e tij të veçantë dhe përpjekjen për të përfaqësuar një identitet muzikor modern që nuk harron rrënjët.
Përmes një skenografie të kuruar, kënga përcolli një mesazh për bashkëjetesë kulturore duke lënë gjurmë me origjinalitetin e saj.