Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar për herë të parë pas fitores së thellë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit.

Edhe pse i izoluar, Veliaj ka thënë në urimin e tij se këto zgjedhje ‘fshinë çdo dyshim dhe çdo baltë ndaj PS-së’, ndërsa shigjeton Berishën. Veliaj thekson se shqiptarët dinë të vlerësojnë ndryshimin, punën, zhvillimin dhe e dinë fare mirë që ka vetëm një forcë në këtë vend që mund ta çojë Shqipërinë përpara drejt Europës që kemi ëndërruar: Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama dhe ekipi i tij.

“Miqtë e mi,
Nuk di nga t’ia nis. Jam pa fjalë, krejtësisht pa fjalë, përpara kësaj vale të jashtëzakonshme mbështetjeje që fshiu çdo dyshim, çdo pretendim, çdo helm e çdo baltë që iu hodh Partisë Socialiste në këto katër vite. Shqiptarët folën – dhe folën fort! Folën më fuqishëm se çdo herë tjetër, që prej vitit të mbrapshtë 1997, kur i treguan vendin të njëjtit personazh grotesk që guxon të rikthehet përpara shqiptarëve, edhe sot, si të ishte një “ofertë e re”.
Një gjë kam mësuar unë për shqiptarët: nuk harrojnë dhe nuk mashtrohen. Ata nuk i besojnë më Saliut & co dhe 11 maji i vuri vulën këtij diskutimi.
Shqiptarët dinë të vlerësojnë ndryshimin, punën, zhvillimin dhe e dinë fare mirë që ka vetëm një forcë në këtë vend që mund ta çojë Shqipërinë përpara drejt Europës që kemi ëndërruar: Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama dhe ekipi i tij.”

Nga qelia, Veliaj nuk harron as t’u shprehë mirënjohjen qytetarëve duke thënë se është mirënjohës ndaj tyre.

“Sot, unë jam krenar që jam pjesë e këtij projekti që ka transformuar Shqipërinë… Dua të falenderoj secilin prej jush, nga veriu në jug, nga Amerika në Greqi…”-shkruan Veliaj.

Në fund Veliaj falenderon dhe ekipin e bashkisë Tiranë për konrtibutin dhe punënë e jashtëzakonshme sipas tij.

“Por nuk mungon as një përqafim virtual për Tiranën time të dashur. Jeni të jashtëzakonshëm. Jam krenar për të gjithë ju!”- përfundon Veliaj.