Plani i Hansi Flick funksionoi. Barcelona doli me shumë rotacione në “José Zorrilla”, por arriti të marrë tri pikë të vlefshme ndaj skuadrës së fundit në tabelë, duke ruajtur kreun e La Liga-s dhe rritur përkohësisht distancën ndaj Real Madridit. Edhe pse katalanasit vuajtën, trajneri gjerman u shpreh shumë i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij:
“Jam i kënaqur. Vuajtëm më shumë sesa duhej, por qëllimi ishin tri pikët. Nuk jam i zhgënjyer. Kur bën 9 ndryshime në formacion, nuk është e lehtë për lojtarët. Janë të rinj dhe unë besoj tek ata. Po tregojnë se japin gjithçka, por nuk ishte e lehtë. Dukej ndeshje e rrezikshme, por në fund Araujo dhe Christensen luajtën mirë. Ter Stegen tregoi se sa i mirë është”.

Në lidhje me portierin, Flick konfirmoi se Szczesny do të jetë titullar në ndeshjet e mbetura të sezonit, pavarësisht rikthimit të Ter Stegen: “Tek do të luajë në Champions ndaj Interit dhe në ‘klasiken’ ndaj Real Madridit. Ky është plani ynë. Sidoqoftë, sot jam shumë i lumtur për rikthimin e Marc”.
Polaku do të vijojë të jetë pjesë kyçe e skuadrës dhe do të rikthehet të mbrojë portën të martën në “San Siro”. Një nga lajmet e këqija të ndeshjes ishte dëmtimi i Dani Rodríguez dhe shqetësimet fizike të Gavit. Dani u dëmtua në pjesën e parë dhe nuk mundi ta shijonte më gjatë debutimin me ekipin e parë. Në minutën e 38-të u zëvendësua dhe u largua me një fashim të madh në shpatull, pas një dueli me Aznou.
“Gavi është mirë. Më tha se ndihet mirë, por duhet të presim deri nesër. Dani, jam shumë i trishtuar për të. Po vinte nga dëmtime dhe ishte ndeshja e tij e parë me ne. Ishim shumë të lumtur për të. Tregoi atë që shohim në stërvitje, përpiqet të bëjë gjëra të mira. Do të kujdesemi për të dhe kur të kthehet, do të stërvitet sërish me ne”, – analizoi Flick.
Rotacionet ishin pjesë e qartë e planit të Flick gjatë sfidës, por pas golit të pësuar dhe dëmtimit të të riut, trajneri gjerman u detyrua të aktivizojë më herët Lamine Yamal për të ndihmuar në përmbysje. Në fund u futën në fushë edhe Frenkie de Jong, Dani Olmo dhe Eric García:
“Goli që pësuam ishte thjesht fatkeqësi. Zëvendësimi i Frenkie dhe Pedrit ishte i parashikuar, nga 45 minuta për secilin. Raphinha dhe Lamine me shumë mundësi do të kishin luajtur, gjithsesi, ndoshta pak më pak. Megjithatë, arritën të pushojnë”.
Golin e fitores e shënoi Fermín, i cili në fund të ndeshjes luajti si sulmues qendror, pas aktivizimit të Olmos: “Vendosëm Olmon si numër 10 dhe Fermínin si 9 për ta përfshirë më shumë në lojë dhe sulmuar më mirë kundër një mbrojtjeje të ulët. Nuk është e lehtë të luash si sulmues kur je mesfushor, sepse do topin.
Mendoj se ishte më mirë për të. Fermín gjithmonë ka mundësi të jetë titullar, në pozicionin e tij apo diku tjetër. Mund të luajë në disa role. Të dielën do të pushojmë dhe kur të udhëtojmë për në Milano, do të vendosim për formacionin”.