MYNIH, Gjermani – Këtë të shtunë (31 maj) në orën 21:00 në Mynih do luhet finalja e Champions League për edicionin 2024-25. Ndeshja e sotme vendos përballë PSG-në dhe Interin, për herë të parë në një ndeshje zyrtare, që vlen trofeun më të madh në Evropë. Në historinë mes tyre dy skuadrat janë përballur pesë herë në miqësore, nga të cilat tre kanë folur për francezët e PSG-së dhe në dy raste për italianët e Interit.
Nga stolat me ide do përballen edhe dy strategët, Luis Enrique që e ka shijuar në një rast si trajner trofeun në sezonin 2014-15 me Barcelonën, ndërsa nga ana tjetër është Simone Inzaghi që nuk ka fituar asnjë trofe të Champions, me bilancin që është një finale e humbur me Interin e tij më 10 qershor 2023 kundër Manchester Cityt (1-0) në Stamboll. PSG u mposht 1-0 nga Bayern Munich në finalen e Champions League të vitit 2020.
Historia dhe rruga drejt finales
Për PSG-në kjo është një mundësi historike për të fituar për herë të parë trofeun e parë të madh evropian, ndërsa Interi do të kërkojë të rikthehet në majë të kontinentit pas 15 vitesh dhe të sigurojë titullin e katërt në këtë garë prestigjioze.
Rruga drejt finales ka qenë e vështirë për të dyja skuadrat. PSG eliminoi tre ekipe angleze me emër; Liverpoolin pas penalltive në 1/8-at (1-1, 4-1), Aston Villan në një spektakël golash në çerekfinale (5-4) dhe më pas Arsenalin në gjysmëfinale (3-1).
Ndërkohë, Interi kaloi Feyenoordin (4-1), pastaj mposhti Bayernin në një përballje dramatike (4-3), ndërsa në gjysmëfinale zhvilloi dy ndeshje spektakolare kundër Barcelonës, duke triumfuar me rezultatin e përgjithshëm 7-6.
Forma e dy skuadrave në garat vendase është kontrast i theksuar. PSG ka fituar tripletë këtë sezon (Ligue I, Kupa e Francës dhe Superkupa), ndërsa Interi nuk ka arritur të fitojë asnjë trofe dhe e sheh këtë finale si mundësinë e vetme për të shpëtuar sezonin.
Arbitri – Finalja do të drejtohet nga gjyqtari rumun Istvan Kovacs, i cili pritet të ketë një sfidë të vështirë përballë dy skuadrave plot yje dhe ambicie.
Forma e skuadrave dhe mungesat
PSG
Presnel Kimpembe është lojtari i vetëm që mungon për PSG-në në finalen e Champions League. Luis Enrique nuk ka gjasa të bëjë ndonjë surprizë të madhe për takimin me Interin.
Megjithatë, ai duhet të vendosë nëse Desire Doue apo Bradley Barcola do t’i bashkohen Ousmane Dembele dhe Khvicha Kvaratskhelia në vijën e parë të sulmit.
Inter
Benjamin Pavard pritet të rikthehet në skuadër pas një periudhe jashtë fushave. Piotr Zielinski dhe Yann Bisseck do të vlerësohen gjithashtu, duke lënë vetëm Valentin Carboni si mungesa e vetme e konfirmuar e Interit.
Federico Dimarco duhet të marrë vendin e tij në pozicionin e mbrojtësit të krahut të majtë, përpara Carlos Augustos.
E shtuna do të shënojë finalen e dytë të Champions League për Interin në tre vitet e fundit dhe ata do të synojnë të bëjnë më mirë se në vitin 2023.
Formacionet e mundshme
PSG: Donnarumma; Hakimi, Marquinhos, Pacho, Nuno Mendes; Neves, Vitinha, Fabian Ruiz; Doue, Dembele, Kvaratskhelia
Inter: Sommer; Pavard, Acerbi, Bastoni; Dumfries, Barella, Calhanoglu, Mkhitaryan, Dimarco; Lautaro Martinez, Thuram