Kandidati më i votuar i Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, Blendi Gonxhja, ka kritikuar Partinë Demokratike për mënyrën si u angazhua në zgjedhjet vendore të 11 majit.

Në një intervistë për emisionin “Kjo javë” në News24, Gonxhja u shpreh se opozita ishte e paorganizuar, me praninë minimale në terren dhe mungesë të qartë drejtimi politik. Ai theksoi se në zonat me problematika ku zhvilloi fushatën, nuk u ndje prezenca e PD-së dhe qytetarët nuk kishin një alternativë të besueshme opozitare. Sipas tij, fragmentarizimi dhe radikalizimi i Partisë Demokratike po e çon këtë forcë drejt margjinalizimit, duke lënë një boshllëk në skenën politike shqiptare.

Blendi Gonxhja: Në zonën ku kam qenë unë, politikanët e PD kanë kaluar 2-3 herë në këmbë, kanë bërë një takim me disa familje që janë prekur nga tërmeti, nuk u kuptua se kush nga ata është drejtues politik i zonës ku ndodhemi edhe ne. Nuk di se kush është drejtuesi politik në Tiranë nga PD, nuk di ende se kush është deputeti demokrat që mund të referohej për zonën. Nuk kam parë njerëz nga PD, në një zonë me shumë problematika. Për fat të keq të Shqipërisë, nuk kemi opozitë.

Vendi ka nevojë të eci shpejt përpara në rrugën drejt BE-së. Kishim një parti politike që ishte Marksi dhe Lenini, një tjetër që ngjan me Berlusconin, por arriti njëfarë rezultati, PD ishte e fragmentarizur. Nëse do isha një njeri që do votoja kundër qeverisë, nuk do të dija se për kë të votoj. Analizën për përçarjen duhet ta bëjë PD-ja. Besoj se në PD e kuptojnë problemin, por injorojnë opinionin publik në vazhdimësi. PD është radikalizuar dhe ka një grup gjithmonë e më të vogël dhe e çon veten drejt humbjes. Më 2013, ne u përbashkuam dhe ky ishte çelësi i fitores sonë në vijimësi. Partia Demokratike duhet të njohë zgjedhjet. PD duhet të reflektojë. Populli ka votuar një platformë, për të hapur derën e integrimit në Bashkimin Europian.