Në një situatë ku informacioni duhet të jetë një burim i besueshëm për qytetarët, disa prej atyre që quhen “gazetarë” po përdorin platformën e tyre për të shpërndarë lajme të rreme, duke shkelur rëndë çdo standard profesional dhe etik. Një nga rastet më flagrante është ajo e Anduena Llabanit, një gazetare që jo vetëm ka dalë në skenë me akuza dhe lidhje të diskutueshme me ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe Rovena Gashin dy figura që në vetvete ngjallin dyshime mbi pastërtinë e veprimeve të tyre por që tani po përdor influencën e saj për të përhapur hipoteza të rrezikshme dhe të paverifikuara në lidhje me arrestimin e Erion Veliajt dhe rolin e Blendi Gonxhes.

Në një transmetim në televizionin “MCN”, Llabani deklaroi se nga përgjimet ambientale në qeli Veliaj “ka thënë” se Blendi Gonxhe është “Nesti Angoni” dhe se ky i fundit do të bëhet kryebashkiak i Tiranës.

Kjo është një e pavërtetë e madhe e hedhur në opinion si një fakt i pamohueshëm një tentativë brutale për të manipuluar opinionin publik dhe për të deformuar realitetin politik. Gazetaria po trajtohet sikur të jetë një ‘shikim filxhani’ ku mblidhen gratë e lagjes dhe këpusin nofka.

GAZETARIA PO KTHEHET NË PROPAGANDË

Në vend që të kërkojë prova dhe të ushtrojë kujdes profesional, Llabani ka zgjedhur të luajë rolin e propagandueses, duke përdorur një narrativë që i shërben lojërave të pista të brendshme drejtësisë dhe interesave të errëta të grupeve të caktuara. Ky është një abuzim i hapur i gazetarisë dhe një dëm i pashlyeshëm për besueshmërinë e medias në Shqipëri.

Është e papranueshme që gazetarë të tillë, të njohur për përfshirje në episode të ulëta me ish-kryeprokurorë dhe elementë të drejtësisë që sot kanë humbur çdo lloj kredibiliteti, të përdorin përhapjen e lajmeve të rreme si një mjet për përfitime personale dhe politike. Për më tepër, kjo situatë thekson edhe më shumë degradimin e institucioneve të drejtësisë të cilat, në vend që të jenë pavarësia dhe shpëtimi i demokracisë, janë kthyer në mjete të përdorura për ndjekje selektive dhe shantazhe politike.

Nëse edhe hipotetikisht këto pretendime do të ishin të vërteta, mënyra se si ato po hidhen publikisht dhe pa asnjë bazë të fortë është në kuadër të një vepre penale dhe i bën dëm të pashmangshëm demokracisë dhe drejtësisë në vend. Një shoqëri demokratike nuk mund të lejojë që lajme të tilla të përhapen për klikime dhe për manipulim politik, duke shkatërruar reputacionet dhe duke mbjellë urrejtje dhe dyshime të pabaza.

Është detyra e gazetarëve të ndershëm që të bëjnë verifikimin e fakteve dhe të respektojnë kodin etik të profesionit, dhe përgjegjësia e institucioneve të drejtësisë që të mos lejojnë përdorimin e tyre si vegla politike. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të rifitojmë besimin e publikut dhe të mbrojmë vlerat e demokracisë.

Në këtë kuadër, kjo histor është një reflektim i thellë i krizës së gazetarisë dhe drejtësisë në Shqipëri. Për sa kohë që gazetarë si Llabani vazhdojnë të përhapin trillime të tilla, dhe institucionet nuk tregojnë pavarësi, besueshmëria e shtetit do të vazhdojë të shembet, duke lënë qytetarët të zhgënjyer dhe të manipuluar./Lexo.al

*Artikulli i shkruar nge Hermes Kafexhiu, gazetar

Sqarim bazuar në kodin etik:

Lajm redaksional pa asnjë qëllim për të mbrojtur figurat politike apo sulmuar gazetarët, por për të mbrojtur vlerat e gazetarisë.