Nga Hermes Kafexhiu

Zgjedhjet e 11 majit 2025 shënojnë një pikë kthese të errët për Partinë Demokratike. Një forcë politike që dikur pretendonte të udhëhiqte Shqipërinë drejt Europës, sot po mbijeton në mbetjet e një partie të thyer, të ndarë dhe të rrënuar moralisht. Në këtë panoramë gri, një emër ka marrë peshën e papritur të shpresës: Jorida Tabaku.
Në listat e hapura për qarkun e Tiranës, Tabaku është shfaqur si kandidatja më e votuar nga Partia Demokratike. Një grua e qetë, e përmbajtur në ton dhe e vendosur në kauzat e saj, ajo ka mbledhur më shumë vota sesa shumë prej figurave tradicionale të PD-së — një sinjal i qartë që baza demokrate kërkon ndryshim, qartësi dhe njerëz që nuk vijnë me barrën e së shkuarës.

Por këtë sukses relativ të Tabakut nuk mund ta ndajmë nga tragjedia më e madhe që po përjeton PD: një humbje e thellë në të gjithë vendin. Pavarësisht listës së hapur, pavarësisht mobilizimit në disa zona urbane, Partia Demokratike nuk arriti dot as të afrohet me Partinë Socialiste, e lëre më të rrezikojë hegjemoninë e saj. Pse? Sepse drejtimi i saj aktual është i paaftë të frymëzojë. Sepse Sali Berisha, me gjithë historinë dhe rolin e tij dikur monumental, sot është kthyer në një simbol të bllokimit, jo të ringritjes.

Berisha, me retorikën e tij të vjetruar dhe betejat personale të pafundme, nuk është më një lider politik, por një pengesë ekzistenciale për PD-në. Nën hijen e tij nuk lindin ide të reja, nuk forcohen figurat e reja përkundrazi, ato zbehen, nëse nuk e sfidojnë hapur. Kjo është ajo që ndodhi edhe me figura si Agron Shehaj në vitin 2021. U votua masivisht në Tiranë, shkëlqeu në rezultat, por u rrëzua nga logjika autokratike e një lidershipi që nuk fal meritën pa nënshtrim.

Sot, Jorida Tabaku është potencialisht një “Agron Shehaj i dytë” një zë i votuar nga njerëzit, por i kërcënuar të heshtë nga struktura që nuk duron pavarësinë. Ajo ndodhet përpara një udhëkryqi historik: ose do të përqafojë rolin e saj si një lidere e mundshme e gjeneratës së re në të djathtën shqiptare, ose do të kthehet në një tjetër emër të mirë që u tret në mosreformimin e kësaj partie.

Në fund të fundit, zgjedhjet e 11 majit nuk treguan vetëm kush fitoi dhe kush humbi. Treguan kush ka të ardhme dhe kush po e vonon këtë të ardhme. Dhe nëse Partia Demokratike nuk arrin ta dëgjojë mesazhin që votuesit i dhanë përmes Jorida Tabakut, atëherë ajo nuk meriton më as të quhet alternativë