Pas fitores 3-1 kundër Bournemouth, trajneri i Manchester City, Pep Guardiola ka “kërcënuar” drejtuesit me largim. E gjitha ka të bëjë me numrin “e fryrë” të lojtarëve në ekip.
“U thashë drejtuesve të klubit se nuk dua një skuadër më të madhe. Nuk dua të lë pesë ose gjashtë lojtarë në tribunë, nuk e dua këtë, ndryshe do të largohem nga klubi. Bëni një skuadër më të shkurtër dhe pastaj do të qëndroj.
Është e pamundur të krijosh një frymë ekipi si kjo, të cilën e kemi humbur pak këtë vit. Ndoshta për tre ose katër muaj nuk ishim në gjendje të fusnim në fushë 11 lojtarë, nuk kishim asnjë mbrojtës, ishte vërtet e vështirë.
Por sezonin e ardhshëm nuk mund të jetë më kështu. Si trajner nuk mund të stërvis 24 lojtarë dhe sa herë që bëj një përzgjedhje duhet të mbaj katër, pesë, gjashtë në shtëpi sepse nuk mund të luajnë. Kjo nuk do të ndodhë. I thashë klubit se nuk e dua diçka të tillë”, tha spanjolli.