Edhe pse e re në moshë, Andia Ulliri është përfshirë në disa kauza si deputete e Kuvendit të Shqipërisë, njëkohësisht, mori pjesë dhe në garën elektorale të zgjedhjeve që lamë pas.
Ulliri foli në Euronews Albania lidhur me mandatin e deputetit që kërkon por jo vetëm.
“Ishte një eksperiencë komplet ndryshe nga fushata e 2021-shit, kjo besoj nga të dyja kampet, opozitës dhe mazhorancës. Një sfidë politike për PD por dhe për ne si kandidatë të saj. Ne jemi një nga rastet ku qarku Durrës pati një qasje më pozitive në raport me bashkinë Krujë”, tha Andia Ulliri.
Ulliri foli dhe mbi ankimin që ka depozituar në KQZ lidhur me çështjen e kuotës gjinore, duke sqaruar dhe arsyen.
“Kërkesa ime e cila është depozituar në KQZ është një kërkesë që vë në vëmendje KQZ-në për çështjen e kuotës gjinore. Unë nuk kam qenë një nga kandidatët që ka kontestuar në raport me rinumërim apo kërkesë për rivlerësim të votave, por kam qenë një nga kandidatet e cila ka marrë përsipër një kauzë e cila ka qenë vënia në vemendje të KQZ-së për çështjen e kuotës gjinore.
Kuota gjinore është e parashikuar në Kushtetutë por duke qenë se kodi i ri zgjedhor ka patur disa ndryshime, pra ka listën unike që përbëhet nga ajo e hapur dhe e mbyllur, në një keqinterpretim të saj, ajo nuk trajtohet si një listë e vetme por si dy lista të ndara duke cënuar drejtëpërdrejtë edhe kuotën gjinore dhe ligjin për barazinë gjinore”, tha ajo.
E pyetur se a mund të përfitojë mandatin përtej rezultatit që ka nëse kjo kërkesë e saj do merret parasysh nga KQZ dhe nga KAS, Ulliri përgjigje se: “Nga puna e madhe që kam bërë dhe nga beteja 4 vite në Parlament, kam rezultuar si kandidatja më e votuar e qarkut Durrës për PD apo PS si femër”, tha ajo.