Bashkimi Europian ka reaguar me tone të ashpra ndaj pretendimeve të publikuara nga Syri.net, të cilat akuzonin Delegacionin e BE-së në Shqipëri dhe Ambasadorin për ndërhyrje në raportin paraprak të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet elektorale të 11 majit.

Në një deklaratë zyrtare, Delegacioni i BE-së i ka cilësuar si të pavërteta dhe të pabazuara lajmet që qarkullojnë në media, sipas të cilave emra të caktuar janë hequr nga raporti për shkak të ndërhyrjes së përfaqësuesve europianë.

“Raportet e vëzhgimit zgjedhor të OSBE/ODIHR janë të pavarura, të paanshme dhe bazohen vetëm në gjetje të verifikuara nga ekipet e tyre të vëzhguesve,” thekson BE-ja në reagimin e saj, duke shtuar se çdo insinuatë për ndërhyrje cënon integritetin e procesit zgjedhor.

Reagimi i BE-së vjen pas deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe raportimeve në media pranë tij, ku aludohej për manipulim të raportit për të fshehur parregullsi zgjedhore. Delegacioni europian nënvizon se përhapja e dezinformatave të tilla dëmton rëndë besimin e publikut në proceset demokratike dhe institucionet ndërkombëtare.

Ky qëndrim konfirmon mbështetjen e palëkundur të BE-së për transparencën dhe pavarësinë e institucioneve që monitorojnë zgjedhjet në Shqipëri./LEXO.AL