Pritjet dhe lotët e grave dhe nënave të robërve ukrainas të luftës, një episode rrënqethës pas lirimit të ushtarëve nga Rusia

Zëri që del nga gryka e Olgës i ngjan ulërimës së një luanëshe. Vrapon drejt autobusit. Pastaj Andriy përqafon fort vogëlushin Vadym, sikur të mos donte ta lëshonte më kurrë. Ai ishte ende në barkun e Olgës kur Andriy u kap rob. Vite, muaj, javë, ditë.

“E ndjeja që këtë herë do të kthehesha”, thotë ai.

Ky është grupi i dytë nga shkëmbimi masiv i një mijë për një mijë robër midis Moskës dhe Kievit. Dje ishte radha e 307 të tjerëve. Ushtarë të forcave të armatosura, të shërbimit të rojes kufitare dhe të gardës kombëtare, por edhe 27 luftëtarë që kishin mbrojtur Mariupolin dhe kishin luftuar në Donetsk, Kherson, Kharkiv, Zaporizhzhia dhe Luhansk, shpjegon me mirësjellje Petro Jazenko, oficer i GUR-it, inteligjencës ushtarake.

Më i riu në grup është 25 vjeç, më i moshuari 61. Të gjithë duken të paktën dyfish më të vjetër se mosha që kanë fytyra të shkatërruara, të lodhur, të zverdhur, të dobët, me kokat e rruara. Tërësisht të hutuar teksa zbresin nga katër autobusët që i kanë sjellë nga kufiri në spitalin e Çernihivit.

Këtu, përpara se të rikthehen në jetën e tyre, do të marrin trajtim mjekësor, ndihmë, dhe do të intervistohen.

“Mos u bëni pyetje për torturat që kanë pësuar apo për kushtet e robërisë, nuk kanë parë ende psikologët. Dhe, mbi të gjitha, mos u flisni në rusisht mund të tremben”, u kërkon sërish Petro gazetarëve.

”Ju lutem, tregohuni të respektueshëm. Këta burra kanë kaluar ferrin.”

Shumë prej tyre nuk kanë as idenë më të vogël se si po shkon lufta apo çfarë ka ndodhur në botë muajt dhe vitet e fundit. Nuk e dinë që Putini ende pretendon se do të përkulë Ukrainën.

Rreth rreshtit të ish-robërve mblidhet një turmë. Janë kryesisht gra që mbajnë në duar fotografitë e të afërmve të tyre të zhdukur. Kërkojnë dëshpërimisht ndonjë lajm.

“E ke parë, e keni parë ndonjëherë?”, thërret e dëshpëruar Olena.

Ndoshta dikush ka qenë në të njëjtën qeli me vëllanë e saj, i zhdukur prej dy vjetësh në frontin e Khersonit. Por asgjë.

Ajo përqafohet fort nga Svitlana dhe Ludmilla, që përpiqen ta ngushëllojnë, ndërsa një vullnetare shpërndan ujë në gota të bardha plastike, dhe ato telefonojnë në shtëpi për të thënë:

“Jo, as këtë herë nuk pati fat”.

Gazetarët lëvizin nëpër turmë, me kamera, objektiva dhe mikrofonë. Është një nga momentet historike të kësaj lufte. Askush, as më ciniku, nuk arrin të qëndrojë indiferent përballë kaq shumë emocionesh.

Lotët e gëzimit të Olgës përzihen me ato të dhimbjes së Olenës. Por edhe me lotët e zemërimit të Aleksey-t, i cili që prej vitit 2022 kërkon djalin e tij, pa sukses.
Ka mjekrën e gjatë.

“Nuk do ta rruaj derisa ai të kthehet”, thotë ai.

Asnjë siguri

Procedura parashikon që familjarët të mos lajmërohen paraprakisht për lirimin e robërve. Kush mundet, kur dëgjon për ndonjë shkëmbim, vjen.
Por derisa të hapen dyert e autobusëve, nuk ka asnjë siguri.

“Isha e bindur që sot do të përqafoja Olegun tim”, psherëtin Helena, rreth të tridhjetave, ndërsa bie në gjunjë pasi kupton se ai nuk është aty.

Ngrihet sërish:

“Takova një shok brigade të tij që më tha se e kishte parë në burg. Do të thotë që është ende gjallë. Është hera e parë në një vit që kam një lajm për të.”

Është shpresë, përveç gëzimit, dhimbjes dhe zemërimit.

Andriy vazhdon të rrotullohet në bar me vogëlushin Vadym, edhe pse ka filluar të bjerë shi. Më shumë lot që përzihen me buzëqeshje dhe përqafime.
Më në fund, dikush i jep një portokall të qëruar.

“Nuk e mbaja mend më se çfarë shije kishte lumturia.”/Corriere della Sera