Luis Enrique nuk njeh humbje kur vjen puna te finalet. Me ndeshjen e mbrëmjes së sotme kundër Interit, që po afron, trajneri spanjoll do të drejtojë për herë të 11-të një finale në karrierën e tij si trajner. Bilancin e ka perfekt: 10 fitore në 10 ndeshje.

Gjithçka nisi në mënyrë madhështore me Barcelonën, në sezonin e jashtëzakonshëm 2014-2015, kur fitoi finalen e Champions League kundër Juventusit në Berlin me rezultatin 3-1. Po atë vit, Enrique fitoi edhe tre trofe të tjerë: Superkupën e Europës ndaj Sevilla (5-4 në një thriller golash), Kupën e Botës për Klube ndaj River Plate (3-0), dhe Kupën e Mbretit, 3-1 ndaj Athletic Bilbao.

Sukseset vazhduan me dominimin në kupat spanjolle: 2-0 ndaj Sevilla në finalen e “Copa del Rey” 2016 dhe 3-1 ndaj Alaves më 2017.

Edhe në Francë, te PSG, trajneri iberik e ka mbajtur të paprekur rekordin e tij. Në dy vite në Paris (2024 dhe 2025), ai ka fituar dy herë Kupën e Francës; ndaj Lyon (2-1) dhe Reims (3-0), si dhe dy Superkupa Franceze, të njohura si “Trophée des Champions”, ndaj Tolosa (2-0) dhe Monaco (1-0).

Tani vjen sfida finale numër 11. Kundërshtar ka një Inter të etur për trofe, por që duhet të përballet me një trajner që finalet i ka kthyer në territor personal…