Më 15 Prill Gjykata Kushtetuese iu drejtua me një shkresë Gjykatës së Lartë ku e njoftonte se çështja e mandatit të anëtares së kushtetueses Sonila Bejtja, do të shqyrtohej në seancë plenare, në bazë dokumentash dhe pa praninë e palëve. Gjykata e Lartë dhe Parlamenti ftoheshin në proces si subjekte të interesuara. Së bashku me presidencën, këto dy institucione përfaqësojnë tre organet e emërtesës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Çështja e mandatit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese u kthye në një moment debatesh të forta në fundin e vitit të shkuar. Sipas Kushtetutës “përbërja e Gjykatës përtërihet çdo tre vjet me një të tretën e saj, sipas procedurës së përcaktuar me ligj”. Vetë ligji, përcakton specifikisht radhën e përtëritjes së gjyqtarëve deri në vitin 2022, duke bërë që skema të ishte funksionale, e të niste zbatimin e plotë në vitin 2025 me ndryshimin e tre anëtarëve, një për secilin organ emërtese e për të vijuar më pas në vitet 2028 dhe 2031.
Në shtator të vitit të kaluar, dorëheqja e beftë e anëtares Elsa Toska, u pasua nga vendimi i kryetares së parlamentit, Elisa Spiropali, për shpalljen e vakancës për një mandat që përfundonte, jo në vitin 2025, për në vitin 2028. Ky akt do të shënonte krisjen e parë në skemën e ripërtëritjes së gjykatës me tre anëtarë për gjatë këtij viti.
Në muajin dhjetor ishte kryetarja e Gjykatës Holta Zaçaj e cila refuzoi deklarimin e përfundimit të mandatit të saj, në mars të 2025, sipas parashikimit ligjor. Ajo u detyrua të bënte një hap pas, kur Gjykata e Lartë, organi i emërtesës në rastin e saj, nisi procedurat për ta zëvendësuar. Një përplasje nga e cila Gjykata e Lartë doli fituese, ndërsa mbrojti parimin e përtëritjes së Kushtetueses.
Parim i cili më pas, u konsiderua se prevalonte dhe nga vetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në rastin e deklarimit të përfundimit të mandatit të zonjës Zaçaj.
Por ndërsa u duk se ky vendim i marrë në fund të vitit të kaluar, shuante dilemat për mënyrën e zëvendësimit të tre anëtarëve në 2025, kryetarja Zaçaj, nuk ndërmori asnjë veprim për rastin e mandatit të zonjës Bejtja. Heshtja e e zgjedhur prej saj, u bë shkas për një shkresë të gjatë që presidenti Bajram Begaj i dërgoi në fund të muajit janar, Gjykatës Kushtetuese. Letra, në të cilën nuk mungonin notat kritike, vinte në dukje ndër të tjera, se Gjykata “duhet të kishte përfunduar procedurën për deklarimin e mandatit të gjyqtares Bejtja dhe të kishte njoftuar Presidentin e Republikës për vakancën përpara datës 25.1.2025. Kjo gjë jo vetëm nuk ka ndodhur, por edhe nuk ka asnjë njoftim publik nga ana e Gjykatës Kushtetuese në këtë drejtim”.
Shkresa e presidentit, kishte si objekt “Deklarimin e mbarimit të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese”. Por vetë Gjykata, vendosi të mos e trajtojë sipas objektit. Kur kishin kaluar më shumë se 3 javë nga dërgimi i saj, kryetarja e Holta Zaçaj deklaroi se “çështja e sjellë nga presidenti është sjellë si një mosmarrëveshje kushtetuese dhe si e tillë do të trajtohet si një çështje gjyqësore, pra nuk është si rasti i deklarimit të mbarimit të mandatit”.
E ftuar tanimë, si subjekt i interesuar, Gjykata e Lartë, më 12 maj, ka kthyer një përgjigje me tone të forta, për të shprehur mospajtimin e saj, me mënyrën se si Kushtetuesja po e trajton rastin. Në shkresën të cilën Report Tv e disponon ekskluzivisht, të firmosur nga kryetari Sokol Sadushi, thuhet se Gjykata e Lartë e ka “të pamundur të shmangë habinë” mbi rastin, duke nënvizuar se “për herë të parë në historinë 33 vjeçare nga krijimi i Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri, një gjykim i tillë i natyrës deklarative, i nënshtrohet një procesi gjykimi me palë kundërshtare”.
Gjykata e Lartë, këmbëngul se Kushtetuesja nuk duhet të bëjë një gjykim për këtë rast, por thjesht duhet të deklarojë përfundimin e mandatit të Sonila Bejtes. “Zgjidhja e ofruar nga GJK në rastin konkret, duke jo relevante për zgjidhjen e krizës kushtetuese, sepse ka shërbyer për zvarritjen e panevojshme, tej parashikimeve kushtetuese, të procesit të plotësimit të vakancave dhe përtëritjes së përbërjes së saj”,-vë në dukje Gjykata e Lartë, në shkresën e siguruar nga Report TV.
Sipas saj, Kushtetuesja nuk duhet të devijojë nga qëllimi i kërkesës së Presidentit Begaj, i cili ka qenë deklarimi nga Gjykata Kushtetuese i përfundimit të mandatit të Sonila Bejtes.
Gjykata e Lartë shprehet me nota kritike ndaj përfshirjes së saj si palë: “Nuk është zgjidhja e duhur. Thirrja e Gjykatës së Lartë në këtë proces, duke mos patur asnjë pikëprerje me kompetencën e Presidentit, duket më së paku si padituri për proceset e posaçme të gjykimit kushtetues, e më së shumti, si qëllim për ta kanalizuar procesin në një konflikt të paqenë kompetence”.
Gjykata vijon me të njejtat kritika të drejtpërdrejta, duke nënvizuar se “trajtimi i kësaj çështjeje si mosmarrëveshje kompetence ndërmjet pushteteve, është i papërligjur. Duke e kaluar çështjen për shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë të dokumenteve, si një mosmarrëveshje kompetence dhe me palë kundërshtare, ky proces gjyqësor synohet të deformohet proceduralisht”.
Në përfundim, Sokol Sadushi, kryetar i Gjykatës së Lartë, thotë se institucioni i tij shpreh rezerva për këtë qasje të Gjykatës Kushtetuese, dhe kërkon shpalljen e vakancës për mandatin e gjyqtares Sonila Bejtja, “me synim shmangien e çdo krize, që deligjitimon autoritetin e GJK dhe pengon organet e emërtesës, në ushtrimin e pushtetit të tyre kushtetues. Është në përgjegjësinë kushtetuese të trupës së plotë të Gjykatës Kushtetuese për t’u shprehur “pa vonesë, me vendim përfundimtar dhe të detyrueshëm për zbatim”, për kërkesën e paraqitur nga Presidenti i Republikës”-mbyllet shkresa e Gjykatës së Lartë.
Report TV ka pyetur zyrtarisht edhe Kuvendin e Shqipërisë duke i kërkuar një kopje të qëndrimit të tij mbi këtë çështje, por Parlamenti nuk e vuri në dispozicion parashtrimin e tij, meqë çështja është ende në gjykim. “Në cilësinë e subjektit të interesuar Kuvendi ka depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese prapësimet e tij. Sqarojmë se çështja është akoma në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese dhe për këtë arsye ne nuk mund t`ju vëmë në dispozicion dokumente të kësaj dosje”, -u përgjigj Parlamenti pas një kërkese për informacion./SHQIPTARJA.com