Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka biseduar sot për dy orë në telefon me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në lidhje me paqen në Ukrainë.
Mediat bëjnë të ditur se Uashingtoni kërkon përfundimin e konfliktit të konsideruar më vdekjeprurës të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore. Palët kanë biseduar për arritjen e një marrëveshjeje dypalëshe Ukrainë-Ruisi për mbarimin e luftës.
Raportohet se Trump ka kërkuar që kjo të finalizohet sa më shpejt nëpërmjet një memorandumi. Nga ana tjetër e telefonit, shefi i Kremlinit ka pranuar uljen për përgatitjen e një memorandumi paqeje mes dy shteteve, por ‘vetëm nëse arrihet një marrëveshje e përshtatshme’.
“Duhet të eliminohen të gjitha shkaqet kryesore të krizës mes dy vendeve, Rusisë dhe Ukrainës. Jam i gatshëm të punoj me Kievin për një memorandum dypalësh”, mësohet të jetë shprehur Putin.
Presidenti Putin dërgoi mijëra trupa në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, duke shkaktuar konfrontimin më të rëndë midis Rusisë dhe Perëndimit që nga Kriza Kubane e Raketave të vitit 1962.
Trump, i cili thotë se dëshiron të mbahet mend si një paqebërës, ka bërë vazhdimisht thirrje për t’i dhënë fund “gjakderdhjes” në Ukrainë, të cilën administrata e tij e përshkruan si një luftë me ndërmjetës midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.