Nga Jakin Marena
Në PD, të sigurtë se ‘lirohen’ dy mandate në Tiranë, shpresë te SPAK?! Nga Jakin Marena Partia Demokratike, si udhëheqëse e koalicionit “Për Shqipërinë Madhështore” ka vendosur të ankimojë zgjedhjet kuti më kuti e qark më qark, duke ‘përkundur’ shpresën se do të amortizojë sadopak humbjen shokuese më 11 maj! Pavarësisht se të gjithë komisionerët dhe numëruesit e votave, përfaqësues të opozitës, i kanë firmosur rezultatet qark më qark duke mos lënë asnjë shënim për manipulim apo keqadministrim të zgjedhjeve, ndërsa KQZ e ka mbyllur përmbledhjen e tabelave me rezultatin përfundimtar në të gjitha qarqet e vendit, demokratët po lëvizin në të njëjtën linjë që ka përcaktuar lideri Sali Berisha: Goditjen e procesit zgjedhor dhe mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit. Nuk është se Berisha apo ndjekësit e tij fanatikë po thonë ndonjë gjë të re në lidhje me këtë mosnjohjen e zgjedhjeve apo për përpjekjen që përmes ankimimeve për gjithçka, të arrijnë që të njollosin e përbaltin zgjedhjet. Eshtë një ‘melodi’ të cilën shqiptarët sëpaku kanë 12 vite që e dëgjojnë pas humbjeve rresht të PD dhe Berishës në garat elektorale, vendore dhe parlamentare përballë PS dhe Edi Ramës. Por dhe më parë, Berisha që nga viti 1991 nuk ka njohur asnjë palë zgjedhje që nuk i ka organizuar vetë por dhe që ka humbur përballë kundërshtarit politik. Për hir të së vërtetës Berisha s’ka një marrëdhënie të mirë me zgjedhjet kur ai i organizon vetë. Kujtojmë se shkatërrimi i zgjedhjeve si nocion dhe si praktikë ka filluar më 26 maj 1996, kur Berisha i vodhi hapur përmes dhunës shtetërore. Këto zgjedhje nuk i njohu as Shqipëria dhe as komuniteti ndërkombëtar.
Kreu aktual i PD nuk zuri mend dhe kur organizoi një palë zgjedhje në vitin 2009, të cilat i tjetërsoi, aq sa dhe një nga aleatët e atëhershëm të Ramës, tani me Berishën, kreu i PDK Nard Ndoka kërkonte votën e tij të hedhur në kuti, pasi rezultati që iu servir ishte 150 vota pro PD, zero vota për opozitën përfshirë dhe Ndokën, pa asnjë votë e pavlefshme. Dhe kur opozita e atëhershme hyri në grevë urie për të hapur disa kuti dhe verifikuar rezultatin, Berisha i futi një të djegur fletëve të votimit dhe as dëgjoi më nga ai ‘vesh’ që të kryente këtë proces. Aktualisht hapja e kutive të votimit dhe rinumërimi është kthyer në një normalitet, sa herë që nuk i organizon Berisha zgjedhjet. “Sagën’ e vjedhjes me çdo kusht të votës Berisha e vijoi sërish sa ishte në pushtet, teksa nuk mungoi t’i vinte ‘kapak’ me rrëmbimin e mandatit të katërt të Ramës që kishte fituar me 10 vota diferencë si kryebashkiak i Tiranës në zgjedhjet vendore të 2011. Ishte një rezultat i vjedhur në tavolinë nga Berisha përmes kreut të KQZ së atëhershme.
Vjedhje live madje, sy për sy! I përmendëm përciptazi këto fakte për të treguar se Berisha nuk ka pasur kurrë marrëdhënie të mira me zgjedhjet kur i ka organizuar vetë ato. I ka vjedhur në të gjitha rastet e mundshme.
Pa bërë asnjë mungesë. Nuk mundi të përmbysë rezultatin në zgjedhjet e vitit 2013, pasi ishin 1 milionë vota kundër, por do ta kishte përmbysur dhe atë të ishte humbja më pak e lehtë në fund të herës. U tërhoq për të qëndruar në prapaskenë dhe për të lëvizur ‘fijet’ e drejtimit të Bashës në krye të PD. Koha e tregoi se ai ishte kreu i vërtetë i kësaj partie. Dhe për të ‘amortizuar’ sadopak këtë humbje shokuese, me 33 mandate deputeti diferencë (83 me 50) dhe mbi 300 mijë vota diferencë të “Koalicionit Madhështor” të opozitës përballë PS dhe Edi Ramës, Berisha po tenton të bëjë sa më shumë zhurmë përmes kërkesave për rinumërim, hapje procesverbalesh, sajimit të ndonjë ‘prove’ që ka patur efekt vetëm 24 orë dhe pas është rrëzuar nga organet ligjzbatuese por dhe nga vetë akuzuesit, e gjëra të tjera të këtij lloji. Por ajo që na ka bërë më shumë çudi është bindja e krijuar tek disa eksponentë të PD se, Ilir Alimehmeti që mori rreth 18 mijë vota në Tiranë do të hyjë në parlament. Dikush mundohet ta ilustrojë me faktin se nëse numërohen dhe njëherë fletët e pavleshme në Tiranë, mund të marrin mandatin e dytë që fitoi Partia “Mundësia” e Agron Shehajt në Tiranë. Megjithëse ky mandat del se është ‘blinduar’ me mbi 1200 vota të pastra. Por, në fund të herës ka qënë Belind Këlliçi ai që ka deklaruar se në një formë apo tjetër Ilir Alimehmeti do të jetë deputet i qarkut të Tiranës. Ndërkohë që dhe Myslim Murrizi deklaroi se meqë mori mbi 7 mijë vota, ai do të jetë i sigurtë me mandat deputeti në Parlament në shtator. “Deri më 10 shtator do të ketë lëvizje të tjera të papritura. Kur kam deklaruar publikisht se shumë shpejt 7289 votues të lirë do të kenë përfaqësuesin e tyre në Parlament, as kam hamendësuar dhe as kam fluturuar si shumë delirantë politikë, që ëndërronin se do t’i votonin qytetarët pse i mbështesnin pseudo-kryetarët që nuk kishin dhe nuk kanë asnjë peshë reale në degët e partisë, që vegjetojnë si demek “kryetarë”. Dhe unë kam bërë fushatë vetëm me qytetarët, pa video dhe pa pirë kafe me asnjë “udhëheqës” me “paparacë” nga pas, që t’u përcillja strukturave mesazhin që “udhëheqësi” vdes për mua. Ehhhh, sa ujëra do të rrjedhin në këtë verë të “nxehtë”, sa do të habiten të gjithë”, shkruan Murrizi. I sigurtë se do të jetë në shtator në Kuvend si deputet i PD i zgjedhur në Tiranë. Ajo që na ka habitur është se si Këlliçi ashtu dhe Murrizi flasin me një siguri të plotë në lidhje me hyrjen e Alimehmetit dhe Myslymit në Kuvend, ndonëse për momentin nuk i kanë votat për të marrë një mandat deputeti. Dhe jo se nuk u takon të hyjnë në Kuvend si Myslymit ashtu dhe Alimehmetit, por për hir të së vërtetës ata kanë punuar për listën e sigurtë prej 12 deputetësh, të cilët po t’i nxirrje jashtë kësaj liste të mbyllur nuk bënin as një mijë vota! Praktikisht PD ka marrë 13 mandate deputeti në qarkun e Tiranës, 12 mandate nga lista e mbyllur ku janë ‘strehuar’ më besnikët e Berishës, krerët e partive aleate si dhe 2 përfaqësues të Partisë së Lirisë të Ilir Metës, si dhe një mandat deputeti nga lista e hapur përmes votës preferenciale. Ku Jorida Tabaku ka marrë mbi 20 mijë vota. Vota të cilat kontestohen të paktën zyrtarisht nga zyrtarja e PD Adriana Kalaja që thotë se janë vota oligarkësh dhe të Edi Ramës, me qëëllimin e vetëm për të poshtëruar Sali Berishën. Pavarësisht se Berisha bën sikur e mbron Tabakun. Themi kështu sepse në PD nuk flitet pa leje. Ndërsa Alimehmeti u rendit pas saj me 2 mijë vota më pak. Pas tyre Ilir Meta, dhe i katërti Myslim Murrizi. Duke qënë se ‘pista’ Agron Shehaj është thuajse e pamundur të realizohet për t’i shkëputur një mandat deputeti në Tiranë, as PS-së, PSD-së, Llapajt apo Qorajt nuk mund t’i merret mandati në Tiranë, atëherë mbetet mister se cili mandat do të ‘lirohet’ për të kaluar tek Alimehmeti dhe akoma më tej cili mandat tjetër do të ndërrojë ‘pronar’ për të kaluar dhe tek Murrizi. Koridoreve të PD flitet për fletë-arreste të SPAK, por pa përmendur emra se në drejtim të kujt do të lëshohen, për t’a mbyllur në burg dhe për t’i hequr për pasojë mandatin e deputetit. E sigurtë është se dhe në rast se ndodh fakti që, SPAK ndërhyn përmes akuzave apo fletëarresteve tek PS apo te PSD, vendin e tyre në të gjitha rastet e zë tjetri në radhë, socialist apo socialdemokrat, pasi kanë marrë votat në rang qarku për 19 mandate deputeti PS dhe për 1 mandat deputeti PSD.
E sigurtë është se dhe Ilir Meta nuk ka asnjë shans që të marrë mandat deputeti pasi është në qeli, në pritje të kopsitjes së dosjes dhe përballjes me të në sallën e gjyqit. Atëherë ku shpreson Këlliçi apo Murrizi të marrin dy mandate, njëri për Alimehmetin e tjetri për vete? Shansi i vetëm që Alimehmeti e Murrizi të hyjnë në Kuvend është që dy nga deputetët e sigurtë të listës së PD të arrestohen dhe të mbyllen në qeli, si dhe Ilir Meta të vijojë qëndrimin në burg. Pikërisht atëherë u hapet rruga Alimehmetit dhe Murrizit për të marrë mandatin e deputetit dhe për të qënë pjesë e Parlamentit shqiptar. Nuk dimë se kë kanë parasysh Këlliçi e Murrizi në listën e PD të qarkut Tiranë se do të hyjë në burg, po për hir të së vërtetës nën hetim për aferën “Partizani”. ’21 janarin’, ‘Gërdecin’ si dhe hetimin e pasurisë është Sali Berisha. Pra deputeti më me ‘risk’ për të lëshuar mandatin është kreu i PD. Ndërkohë që po hetohet dhe pasuria e numrit dy të PD, Flamur Noka, si dhe është nën hetim ish ministri i Mbrojtjes, njëherësh kreu i PR Fatmir Mediu, për Gërdecin. Megjithëse këta dy të fundit pak gjasa kanë që të përfundojnë në qeli. Sëpaku së shpejti, të themi! Ndaj na habit guximi me të cilin Këlliçi thotë se Alimehmeti do të jetë deputet në Kuvend, por dhe Murrizi që shprehet i sigurtë se do të marrë në shtator mandatin e deputetit. Nuk besoj se kanë në mendje Berishën në burg për të patur ‘vakancën’ e radhës për deputet, pasi do të ishte një guxim shumë i madh dhe të mendohej!
Apo dhe mandatin e Nokës. Në fund të herës, dhe nëse ekziston dëshira e Këlliçit dhe Murrizit, mister mbetet fakti nëse kanë informacione nga SPAK apo parashikojnë ndërhyrjen e prokurorëve të posaçëm për mbylljen në qeli të Berishës e të ndonjë tjetri nga të përmendurit e listës së sigurtë të PD në Tiranë. E themi këtë sepse SPAK ka treguar se kur vjen puna tek Berisha, i ngadalëson goxha deri në stopim lëvizjet si dhe matet fort për të hedhur ndonjë akuzë, për të kërkuar një masë më të fortë. Pavarësisht se për “Partizanin’ në një vend normal me drejtësi normale, ai duhej të ishte në qeli. Apo zvarritja pafund e dosjes së ’21 janarit’, e cila ka ardhur e gatshme ‘llokum’ nga Gjykata e Strasburgut, ndërkohë që nuk po merret ende seriozisht nga organet e hetimit në Shqipëri. Pra me gjithë ‘dëshirën’ e mirë të eksponentëve të PD për të patur ndonjë ‘vakancë’ në listën e PD për Kuvendin, duhet parë pak me rezerva vullneti i SPAK për të kopsitur dosjen e Berishës. Sëpaku për ta thirrur për të dëshmuar për ‘21 janarin’, ‘Gërdecin’, por dhe hetimin e pasurisë. Të presim, por duket se do presim gjatë, shumë gjatë! Me shpresën se mos do të japë ndonjë ‘dorë’ ndihme dhe i “Plotfuqishmi’, e më pas të gjitha palët janë në rregull dhe bien rehat!