Erkid Kazazi, 30 vjeç, personi që është shpallur në kërkim për plagosjen e Arbër Gorgeas nuk është një emër i panjohur për Policinë e Shtetit. Ai ka qenë i angazhuar edhe në strukturat e Partisë Demokratike, por në jetën e tij nuk kanë munguar as konfliktet në të cilat janë përdorur armë zjarri.
Viti 2016, ngacmimi i një gruaje që shkaktoi tre të plagosur
Nga ngacmimi i gruas së Sajmir Kurtit, dëshmia për Lul
Të shtënat me armë zjarri tronditën Kavajën më 18 qershor të vitit 2016, kur ish-drejtori i Zyrës së Punës në këtë qytet, Saimir Kurti, ka plagosur me armë zjarri tre persona, para Bashkisë së qytetit.
Saimir Kurti pati një debat të ashpër me Eqerem Kazazin, 48 vjeç, i cili rezulton të jetë babai i Erkid Kazazit, që në atë kohë ishte kreu i Forumit Rinor Të Partisë Demokratike në Kavajë. Pas konfliktit, Kurti ka marrë armën dhe më pas ka qëlluar ndaj Kazazit, duke plagosur edhe dy persona të tjerë, djalin e tij, Erkid Kazazi, 21 vjeç në atë kohë dhe Dritan Xhixhon, 46 vjeç, i cili ndodhej rastësisht aty pasi shiste fara.
Shkaku i ngjarjes
Gjatë marrjes në pyetje, palët janë konfliktuar me njëri-tjetrin për shkak të një parkimi. Bashkëshortja e Saimir Kurtit ka parkuar makinën pranë lokalit të Kazazit e kjo është bërë shkak që babë e bir të përplasen me të, pasi nuk e kanë lejuar që ajo të vendoste makinën pranë lokalit të tyre. Në këtë moment, gruaja e Kurtit ka marrë të shoqin në telefon, i cili ka mbërritur në vendngjarje e është përplasur fizikisht me Kazazët.
“I kërkuam gruas së Saimir Kurtit që të mos e parkonte makinën para lokalit tonë, sepse e bënte shpesh. Debatuam me të deri sa erdhi Saimir Kurti dhe na qëlloi,”- kanë thënë Eqerem Kazazi dhe djali i tij.
“Përveçse nuk e lejuan të parkonte, ata më ngacmuan gruan. Isha i detyruar të mbroja nderin tim, por nuk qëllova për t’i plagosur,”- ka deklaruar Kurti.
Dyshime pati edhe për faktin që sherri nisi pas debatit rreth lirimit të Elvis Roshit nga paraburgimi dhe lënia e tij në “arrest shtëpie”, por nuk u vërtetua asnjëherë.
Eqerem Kazazi dhe dëshmia e rremë për Lulzim Berishën
Edhe Eqerem Kazazi, njësoj si djali i tij, nuk ka një të kaluar të qetë. Ai është një person me precedentë penalë në Itali, por figurë e njohur edhe për blutë e Kavajës dhe të Durrësit.
Ai ka qenë dëshmitar në procesin gjyqësor të “Bandës së Lul Berishës”, por u vu në pranga pasi ndryshoi dëshminë e tij. Në vitin 2010, Eqerem Kazazi u ndalua sapo kapërceu dyert e gjykatës, pasi u verifikua dëshmia që ka dhënë ndaj 16 të akuzuarve si anëtarë të bandës ishte e rremë. Ai deklaroi se nuk kshte njohje me Lulzim Berishën, ndërkohë që në dy deponimet e dhëna më herët në prokurori kishte dëshmuar të kundërtën.
Kazazi u mor i pandehur në gjykatën e Tiranës, ndërsa në dhjetor të 2012 çështja kundër tij u pushua për shkak të amnistisë së shpallur nga parlamenti.
Kazazi ka qenë thirrur në gjykatë edhe si dëshmitar në vrasjen e shtetasit Marsel Sotiri.
Në vitin 2006, Kazazi ka pranuar njohjen me Lulëzim Berishën nëpërmjet një mikut të vëllait të tij si dhe ka deklaruar se i ka shitur makinën “Golf 2”, Ermir Dervishit për 2 milionë lekë të vjetra. I njëjti mjet rezulton të jetë përdorur në atentatin e parë ndaj Marsel Sotirit, ku ai mbeti i plagosur dhe u vranë shokët e tij Viron Curri e Arjan Paja.
Plagosja në Pllajë
Nga ngacmimi i gruas së Sajmir Kurtit, dëshmia për Lul
Erkid Kazazi
Vitet kanë kaluar, por telashet nuk kanë qëndruar larg familjes Kazazi. Për arsye që nuk janë zbardhur ende, Arbër Gorgea është përplasur me Eqerem Kazazin, të cilin edhe e ka goditur me grushte. Për pasojë, i biri, Erkid Kazazi kishte marrë përsipër ballafaqimin me 36-vjeçarin, por në këtë këtë rast ka rrezikuar dhe jetën e dy fëmijëve të mitur që udhëtonin në makinë me Gorgean.
Ai ka qëlluar në drejtim të mjetit, por plumbat kanë kapur vetëm Gorgean. 36-vjeçari u paraqit me këmbët e tij në komisariatin e policisë dhe kërkoi ndihmë. Efektivët e dërguan në spital, ku dhe ndodhet ende, nën kujdesin e mjekëve. Në njoftim, policia bën me dije se të miturit nuk kanë mbetur të plagosur, ndërsa Kazazi është shpallur në kërkim./Zeri