Sali Berisha ka hyrë në këtë fushatë elektorale për zgjedhjet e 11 Majit me një narrativë të zhurmshme, duke u vetëpozicionuar si versioni shqiptar i Donald Trump-it , një rikthim i fortë, një përmbysje e “establishmentit”, një betejë për të rikthyer “demokracinë e rrëmbyer”.
Por ndërsa fushata përparonte, gjuha, deklaratat dhe gafat e njëpasnjëshme e bënë të ngjante më shumë me një figurë të lodhur që po mundohet të mbajë ritmin e dikurshëm – me shumë fjalë, por pak efekt.

1. Minuta heshtje që u kthye në “një m*t”
Gafa që ngriti më shumë reagime ndodhi teksa Berisha po përpiqej të shprehte ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut. Në vend të një mesazhi solemn, lideri i Rithemelimit tha mes të qeshurash:
“Na bënë të rrinim një minutë, një m*t heshtje.”
Kjo deklaratë tronditi si qytetarët e thjeshtë, ashtu edhe klerin katolik, dhe shënoi një nga momentet më të papërshtatshme të fushatës.
2. Përshëndetjet e mia më të papërzemërta
Në Burrel, gjatë një mitingu elektoral, Berisha u përpoq të përshëndeste qytetarët, por në vend të “përzemërta”, iu drejtua me:
“Përshëndetjet e mia më të papërzemërta”.
Një lapsus që nuk kaloi pa u vënë re, por që u shtua në galerinë e deklaratave të çuditshme që e shoqëruan këtë fushatë.
3. Fjalimet që u bënë lëmsh
Në Fier, Berisha u ngatërrua keq kur foli për punonjësit e industrisë.
“Statusin e minatorit do t’ia japim çdo naftëtari,”
tha ai, duke ngatërruar profesione krejt të ndryshme e duke nxitur reagime nga sindikatat dhe komuniteti i naftëtarëve.
Ndërkohë në Dibër, u ngatërrua mes Rrugës së Arbrit dhe Rrugës së Kombit dy projekte të ndryshme infrastrukturore duke lënë qytetarët të hutuar për premtimet që po bëheshin.
4. Trump në Vatikan?
Në një moment tjetër që tronditi opinionin publik, Berisha komentoi zgjedhjen e Papës së ri me një krahasim të pazakontë:
“U zgjodh një Donald Trump i ri në Vatikan.”
Krahasimi u interpretua si një tjetër përpjekje për të lidhur emrin e tij me imazhe të forta globale, por njëherësh nxiti edhe tallje dhe kritika për mungesë ndjeshmërie dhe serioziteti.
5. “Tregojnë sa pak më kanë ndryshuar vitet”
Në vend që të kërkonte ndjesë apo të shpjegonte ndonjërën prej gafave të bëra gjatë fushatës, Berisha u shpreh se:
“Tregojnë sa pak më kanë ndikuar vitet tek unë.”
Një mënyrë për ta kthyer veten në qendër të vëmendjes, por që në fakt i dha më shumë jehonë pikërisht asaj që përpiqej të fshihte: një mungesë koherence, kthjelltësie dhe orientimi politik.
Nga Trump në Biden një paralelizëm i shuar
Kjo fushatë nuk do të mbahet mend për idetë që solli, por për gafat që prodhoi. Dhe për një lider që e nisi si Trump, por përfundoi si një Biden shqiptar i hutuar, i përçarë dhe në përpjekje për të rikujtuar versionin më të mirë të vetes./Lexo.al
