LEZHË – Një ngjarje e rëndë është shënuar në mbrëmjen e djeshme në Dajç të Lezhës, ku sipas Partisë Socialiste, është kërcënuar me armë familja dhe stafi elektoral i kandidates për deputete, Klotilda Ndreca. Në një reagim të ashpër publik, drejtuesi politik i PS për qarkun e Lezhës, Ulsi Manja, e cilësoi ngjarjen si një “akt kriminal që s’ka lidhje me politikën”.
“Ngjarja e rëndë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Dajç të Lezhës, ku u kërcënuan me armë babai, motra dhe gjithë shtabi elektoral i kandidates sonë për deputete, znj. Klotilda Ndreca, është një akt i patolerueshëm që shkon përtej çdo kufiri të konfliktit politik,” – tha Manja.

Ai akuzon drejtpërdrejt kandidatin e opozitës, Gjin Gjoni, si përgjegjës politik për atë që e quan “klimë të dhunshme” që po përshkallëzohet në zonën e Lezhës.
“Kandidati Gjin Gjoni duhet të marrë përgjegjësinë politike dhe ligjore për klimën e dhunshme që po nxit në Lezhë, Kurbin dhe Mirditë. Nëse dëshiron të shfaqet si trim, le t’i qëndrojë deri në fund kësaj strategjie të frikësimit dhe të mos bëjë ‘shokun e trimit’, duke manipuluar ngjarjen nga frika e ndëshkimit,” – u shpreh Manja.
“Ngjarja ka prova filmike dhe audio që vërtetojnë qartë kërcënimet dhe dhunën dhe i ka në dispozicion hetimi,” – shtoi ai.
Sipas tij, kjo është një ngjarje që duhet trajtuar me zero tolerancë nga institucionet e drejtësisë, duke përmendur Reformën në Drejtësi dhe SPAK-un si mekanizmat që do të ndëshkojnë çdo përpjekje për të deformuar procesin zgjedhor.
“Koha kur Gjini ndërtonte vetë vendngjarjet me ‘çekiçin’ e drejtësisë së vjetër ka marrë fund me Reformën në Drejtësi. Ky rast është tashmë në duart e drejtësisë së re dhe nuk do të tolerohet asnjë përpjekje për ta zvarritur apo deformuar,” – theksoi ai.
Manja deklaroi se ka informuar edhe misionin e vëzhguesve afatgjatë të OSBE/ODIHR mbi situatën dhe siguroi për angazhimin e PS në një proces të qetë dhe të drejtë.
“Sot kam informuar zyrtarisht misionin e vëzhguesve afatgjatë të OSBE/ODIHR për ngjarjen në Dajç dhe, si drejtues politik i PS për qarkun Lezhë, u kam garantuar angazhimin tim personal dhe të partisë që përfaqësoj për një proces zgjedhor të ndershëm dhe të qetë.”
Në deklaratën e tij, Manja nuk nguroi të ironizojë edhe strategjinë politike të opozitës, duke thënë se “është një film i vjetër” që shqiptarët e kanë parë shumë herë.
“Në takimet përmbyllëse do të shpallin fitoren dhe do të këndojnë himnin, në mëngjes do fillojnë të varin veshët, në drekë do zvarritin numërimin me justifikime banale, në darkë do thonë: ‘Na i vodhën prapë!’ Me të njëjtin regjisor nuk mund të ketë një film ndryshe!” – përfundoi ai.
Në fund, Manja bëri thirrje për vetëpërmbajtje dhe qytetari nga mbështetësit e PS-së:
“Ftoj të gjithë mbështetësit e PS të mos bien pre e provokimeve dhe tensioneve të qëllimshme. Ne do të fitojmë me qytetari, me projekt dhe me angazhim – jo me armë dhe kërcënime.”