Gjykata e Posaçme ka vendosur kalimin për gjykim të dosjes së aferës “Partizani”, duke shënuar nisjen e përballjes së parë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, me drejtësinë. Në bankën e të akuzuarve do të ulen edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, ortaku i Malltezit Xhimi Begeja dhe financierja e kompanisë ‘Homeplan’, Andia Pustina. Pas 7 muajsh zvarritje të seancës paraprake, vendimi u mor sot nga gjyqtarja Fjorela Davidhi, e cila i hapi rrugë gjykimit të tyre për aferën korruptive, ku u ndërtuan 19 kulla në truallin e ish-klubit sportiv “Partizani”, me përfitues direkt dhëndrin e ish-kryeministrit.
Vendimi për dërgimin e kryetarit të PD Sali Berisha në gjyq, u mbajt peng prej 7 muajsh, me manovra të ndryshme zvarritjeje dhe verdikti për ta ulur atë në bankën e të akuzuarve erdhi vetëm 1 javë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ku Berisha pësoi një humbje të thellë.
Seanca nisi në orën 11:30 dhe zgjati deri në 13:30, ku avokatët e të pandehurve bënë një përpjekje të fundit për ta shtyrë sërish seancën, duke kërkuar pavlefshmëri të vendimeve të gjyqtares së hetimit paraprak Irena Gjoka, por kjo kërkesë u rrëzua nga gjyqtarja Davidhi, së cilës iu desh 1 orë në Dhomën e Këshillimit për të marrë vendimin e kalimit të dosjes për gjykim.
Asnjë prej të pandehurve nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar, çka nënkupton se seancat do të bëhen me dëshmitarë dhe gjyqi për Berishën e Malltezin do të marrë shumë kohë deri në një dënim nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë.
Ish-kryeministri ndodhet aktualisht në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për akuzën e korrupsionit pasiv, ndërsa dhëndri i tij është nën “arrest shtëpie” për akuzat korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Nga privatizimi i klubit sportiv ku përfitues ishte dhëndri i Berishës, u ndërtuan të paktën 19 kulla pallatesh.
Me Berishën e Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’, si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.
Prokuroria e Posaçme dyshon se Berisha ka favorizuar dhëndrin e tij, si një nga ish pronarët e truallit të ish kompleksit sportiv Partizani, ku u ndërtuan më pas një grup pallatesh. Prokuroria e Posaçme dyshon se Berisha ka shfrytëzuar postin e tij të kryeministrit, duke miratuar ligje dhe akte të ndryshme nënligjore të përshtatura me nevojat e ish pronarëve të truallit të ish kompleksit Partizani për të mundësuar privatizimin.
Po ashtu dyshohet se ai ka ushtruar presion, përmes kontrolleve administrative, ndaj strukturave shtetërore, në mënyrë që ata të përshpejtonin procedurat e privatizimit, si dhe i ka vënë këto struktura në dispozicion të dhëndrit Jamarbër Malltezi për të arritur privatizimin, i cili sipas SPAK përfitoi 5.4 mln euro.
Dosja ‘Partizani’, të pandehurit:
-Sali Berisha, ish kryeministër – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
– Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish-kryeministrit – akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta! Akuzohet dhe për “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal
– Fatmir Bektashi – Ndërtuesi akuzohet “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe ‘pastrim parash’
– Xhimi Begeja- Ortaku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’ akuzohet për ‘Pastrim Parash’
– Andia Pustina – Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k – Akuzohet për ‘Pastrim Parash’.