Elia Zaharia ka ndarë me publikun disa nga ndjesitë dhe përjetimet e saj gjatë periudhës së divorcit me Princ Lekën, të cilën e përshkroi si një kohë komplekse dhe sfiduese.
E ftuar në emisionin “Rudina”, duke ruajtur diskrecionin për detajet e situatës personale, Elia tregoi se ka pasur një mbështetje të jashtëzakonshme nga familja e saj, e cila ka qenë pranë saj në çdo hap.
Aktorja dhe ish-princësha e Shqipërisë la të kuptohej se tashmë po e lë pas këtë periudhë të vështirë dhe i gjithë fokusi i saj sot është vajza e saj, Geraldina.
Rudina Magjistari: Çfarë të ka mësuar kjo periudhë në jetën tënde? Jo ty, Elia si mama, si aktore, as si autore, por Elias si individ. Çfarë të ka mësuar kjo periudhë e jetës tënde?
Elia Zaharia: Do e them me një fjalë, Rudina: dimensionin e faljes. Kjo për mua nuk ka çmim,
Rudina Magjistari: Ka qenë një periudhë e lehtë, e vështirë dhe si je ti tani?
Elia Zaharia: Ka qenë një periudhë komplekse, por unë falënderoj Zotin çdo ditë për atë mbështetje që më ka dhënë familja ime, rrethi im. Unë jam me shumë fat, sepse prindërit e mi, familja ime, nuk janë vetëm familja ime, por janë edhe miqtë e mi më të mirë, me të cilët unë mund të ndaj çdo gjë gjërat e mira, gjërat e gëzuara. Them: “O Zot, duhet që t’i falënderojmë dhe t’i duam prindërit për aq kohë sa janë.”
Rudina Magjistari: Rasti nuk i ngjan rastit, por unë besoj te filozofia që rasti nuk i ngjan rastit dhe ndryshojnë formë. Por në momentin që diçka ka lindur dhe është ndërtuar mes njerëzve, nuk mund të çbëhet dhe asnjëherë nuk çbëhet dot. Thjesht ndryshon formë dhe mënyra. Unë mendoj se është ajo që thua ti: koha do t’i vërë gjërat në vendin e vet. Çdo gjë sistemohet aty ku duhet dhe vendoset atje ku duhet.
Elia Zaharia: Tashmë ajo që ka rëndësi dhe që për mua është prioritet, është mirëqenia e vajzës sime. Unë dua që ajo të ndjehet ngrohtë shpirtërisht dhe të marrë dashuri nga të dyja krahët. Për mua kjo është e vetmja gjë që vlen.
Rudina Magjistari: Dhe është për t’u përgëzuar fakti që ju të dy e jepni këtë. Pavarësisht gjithçkaje, e rëndësishme është që prevalon vëmendja dhe ajo që është më e rëndësishme është vajza juaj.
Kujtojmë se në janar të vitit të kaluar, Princ Leka dhe Elia Zaharia njoftuan zyrtarisht fundin e martesës së tyre. Ajo që fillimisht u perceptua si një ndarje paqësore, u shndërrua më vonë në një çështje të ndërlikuar mediatike dhe ligjore.
Publiku shqiptar u trondit nga pamjet filmike që qarkulluan në media, ku u shfaq një përplasje fizike mes ish-çiftit. Kjo ngjarje bëri bujë të madhe dhe solli në qendër të vëmendjes jo vetëm fundin e një historie dashurie, por edhe sfidat që erdhën pas saj.
Pas një procesi të gjatë gjyqësor, “saga” u mbyll me një vendim të Gjykatës së Tiranës. Princ Leka u dënua me 8 muaj burg për dhunën e pretenduar, dënim i cili u konvertua në 16 muaj shërbim prove. Nga ana tjetër, Elia Zaharia u shpall e pafajshme nga trupa gjykuese.