Ajo që ndodhi sot në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) nuk është thjesht një vendim teknik, por një akt politik i rëndë, që vendos një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e proceseve zgjedhore dhe vetë funksionimin e partive në Shqipëri.
Katër kandidatë të Partisë Demokratike Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj, Lisandër Hoxha dhe Aulon Kalaja kërkuan një të drejtë themelore, rinumërim të votave që ata vetë kanë marrë. Kërkuan transparencë, asgjë më shumë. Por ajo që morën si përgjigje nuk ishte vetëm refuzimi nga Komisioni, por braktisja totale nga vetë partia që i kandidoi.
Me katër vota kundër dhe një pro, KAS vendosi të mos i njohë si palë ankimuese. Dhe kjo nuk ndodhi vetëm sepse anëtarët e PS-së votuan kundër. Më e rënda është se dy nga votat kundër erdhën nga anëtarët e vetë PD-së në KAS një bashkëpunim i heshtur por i plotë midis dy partive më të mëdha për të mohuar të drejtën individuale të një kandidati për të kërkuar sqarim mbi rezultatin personal.
Ky është thelbi i skandalit, kandidati nuk ka më zë, nëse partia nuk e do.
Në mënyrë hipokrite, vetëm disa orë më parë Sali Berisha, lideri real i PD-së, u zotua publikisht se çdo kandidat i kësaj partie do të kishte mundësinë të kërkonte transparencë për votën e tij. Por pasdite, në heshtje, kërkesat e katër kandidatëve u dogjën. Jo nga kundërshtarët. Jo nga institucionet e shtetit. Por nga vetë PD, e cila refuzoi t’i firmoste ankimimet. Në mungesë të firmës së partisë, kandidati nuk mund të ankimojë dhe kjo u përdor si justifikim për t’i përjashtuar nga procesi.
Ky është një precedent i rrezikshëm, që shemb çdo standard të garës së ndershme dhe hap rrugën për një model të deformuar të përfaqësimit politik, kandidati përdoret për vota, por nuk ka më të drejtë të flasë në emër të tyre. Nëse partia vendos të heshtë, kandidati hesht me detyrim. Dhe bashkë me të, heshtin edhe mijëra votues që e zgjodhën.
Ajo që ndodhi në KAS nuk është një incident. Është një sinjal. Një alarm i fortë që tregon se brenda PD-së nuk ka më vend për garë të lirë, për debat të hapur, për mendim ndryshe. Transparenca e premtuar është vetëm fasadë. Vula është gjithçka.
Kandidati nuk ka më asnjë pavarësi për të ndjekur një proces ligjor për llogari të vetes, nëse kjo nuk miratohet nga struktura e partisë. E drejta për ankimim, e mbrojtur me ligj, është kthyer në një instrument që aktivizohet vetëm me dëshirën e drejtuesit politik.
Kjo nuk është thjesht goditje ndaj katër kandidatëve. Është një grusht ndaj çdo qytetari që beson se mund të votojë dhe të përfaqësohet realisht. Është një precedent që nuk duhet të normalizohet, sepse nëse sot heshtim për Alimehmetin, Hajdarmatajn, Hoxhën e Kalajan, nesër askush nuk do të ketë më të drejtë të kërkojë asgjë.
Në fund, nuk është thjesht një çështje e brendshme partie. Është një çështje që prek vetë themelet e një procesi demokratik. Dhe kur vetë një parti politike bëhet pengesë për transparencën dhe të drejtën e përfaqësimit të vet, atëherë kemi të bëjmë me një krizë më të thellë sesa rezultati i një votimi.
Transparenca u premtua. Por u dogj me firmën e partisë. Dhe kjo është goditja më e rëndë që mund t’i bëhet demokracisë nga brenda saj./Lexo.al