Partia Socialiste kryeson bindshëm në Vorë, me 14 kutitë e para që janë votuar. Në Vorë u votua në mënyrë elektronike dhe rezultati zyrtar do të shpallet nga KQZ nesër në mëngjes, por Report Tv ka arritur që të sigurojë rezultatet për të paktën 14 kuti votimi.

14 kutitë e para të numëruara në Vorë, kanë nxjerrë fituese Partinë Socialiste. Ajo ka marrë 1315 vota, ndërsa PD vetëm 893. Vota preferenciale kryeson te Blendi Gonxhja, i cili ka marrë 128 vota. Ilir Meta, i cili garon në listën e hapur të Tiranës nën koalicionin PD Aleanca për Shqipërinë Madhështore, ka marrë vetëm 1 votë. Me shpalljen e këtij rezultati, mbështetësit e PS kanë nisur festën me fishekzjarrë.

Numërimi ka nisur edhe në qarkun e Korçës. Numërohen 3 kuti në Pustec: PS me 419 vota dhe PD 208 vota.

Ka nisur numërimi për votat e diasporës për qarkun e Korçës. Numërimi ka nisur në kuadër të numërimit paralel që po bëhet në KZAZ-t e qarkut Korçës, ku janë numëruar disa kuti të Pustecit.

Prezent në hapjen e kutive të diasporës është dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi.