Që në orët e para të mëngjesit është në zhvillim një operacion i madh kundër trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, pastrimit të parave dhe shpërdorimit të detyrës, i udhëhequr nga Drejtoria Hetimore Antimafia e Barit dhe autoritetet shqiptare, me ndihmën e Interpolit, Zyrës së Ekspertit për Sigurinë në Tiranë dhe Policisë Shqiptare, me urdhër të Drejtorisë së Distriktit Antimafia të Barit dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë, nën koordinimin e Eurojust-it (Hagë) dhe Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm të Romës.
Janë lëshuar 52 urdhërarrreste në disa qytete, përfshi Durrës, Vlorë, Fier dhe mësohet se janë sekuestruar miliona euro pasuri. Në operacion po marrin pjesë agjentë të BKH-së, policisë dhe antimafias italiane. Ndërkohë, burime për Report Tv bëjnë me dije se janë përfshirë avokatë, biznesmenë, policë, zyrtarë si dhe personazhe të botës së krimit.
Burimet thonë se është lëshuar urdhërarrest për Ervis Doçin, i njohur në Durrës si Visi i Pojës. Ervis Doçi, apo i njohur me nofkën “Visi i Pojës” është një personazh me “emër” për drejtësinë shqiptare. Një vit më parë në banesën e këtij shtetasi u zhvilluan kontrolle ndërkohë që SPAK lëshoi dhe një urdhër-arrest. Në kuadër të këtij operacioni asokohe blutë sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 3 milionë euro cash vetëm në banesën e Ervis Doçit.
Po ashtu urdhërarrest është dhënë edhe për administratorin e një kompanie udhëtimi, Ligor Çombashi, edhe për një avokat në Durrës Armand Tragaj, për një ish punonjës policie si dhe për një person të identifikuar si Orges Molla.
Në orën 11:30 në një konferencë të përbashkët për shtyp mbi detajet e këtij operacioni do të jetë kreu i SPAK Altin Dumani e Kryeprokurori i Barit Roberto Rossi, Drejtori i Antimafias italiane Gjeneral Michele Carbone e përfaqësuesi për Eurojust për Italinë Gianluca Forlani.
Operacioni “Ura” parashikon ekzekutimin e vendimeve për sekuestrimin e pasurive në Shqipëri dhe në Itali, që përfshijnë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, me një vlerë prej disa miliona eurosh, si dhe urdhra për arrest me burg, të lëshuara nga gjyqtari hetues i Barit dhe nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë, ndaj 52 personave të dyshuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të lëndëve narkotike, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.
Aktiviteti hetimor – thuhet në një njoftim të DIA-s – është pjesë e një projekti më të gjerë hetimor të DDA-së së Barit dhe SPAK-ut të Tiranës, me qëllim luftimin e trafikut të pandërprerë ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës, të kontrolluar nga organizatat kriminale shqiptare, të cilat transportojnë sasi të mëdha të këtyre drogave midis Ballkanit, Europës Veriore dhe Puglias.
Operacioni antidrogë ‘Ura’ në Shqipëri dhe Itali është vijim i operacioneve ‘Shefi’, ‘Kulmi’ dhe ‘Shpirti’.