Një ditë përpara heshtjes zgjedhore, Tirana është kthyer në skenën qendrore të betejës më të fortë politike të këtyre zgjedhjeve vendore. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë zgjedhur të mbyllin fushatën e tyre elektorale sot, në të njëjtën orë, por në dy sheshe të ndryshme të kryeqytetit, duke intensifikuar garën për votën e qytetarëve vetëm 24 orë para hapjes së kutive të votimit.

PS përmbyll fushatën në Parkun Olimpik

Mitingu përmbyllës i Partisë Socialiste nisi në orën 19:00 në Parkun Olimpik. I pranishëm në skenë, kryeministri Edi Rama bëri thirrje për mobilizim dhe votë masive për kandidatët socialistë, duke vendosur theksin tek arritjet e qeverisë në drejtim të ekonomisë, infrastrukturës dhe reformave.

“Nesër është dita kur do të flasë Shqipëria, jo thjesht për të votuar, por për të vazhduar punën që kemi nisur së bashku”, u shpreh Rama para një turme të mbështetësve entuziastë.

Ai ironizoi opozitën me tone thumbuese, duke thënë se “më 11 maj, PD-së i japim Noc Rrokun si dhëndër”, një deklaratë që ka marrë jehonë të gjerë në rrjetet sociale dhe median online.

PD mbush sheshin “Nënë Tereza”
Në të njëjtën orë, Partia Demokratike zhvilloi tubimin e saj përmbyllës në sheshin “Nënë Tereza”, ku kryedemokrati Sali Berisha mbajti një fjalim të ashpër ndaj qeverisë, duke e akuzuar për korrupsion dhe kapje të shtetit.

“Nesër shqiptarët kanë një mundësi historike për të rrëzuar këtë regjim arrogant dhe për t’i kthyer vendit shpresën dhe drejtësinë,” deklaroi Berisha, duke thirrur për një pjesëmarrje masive në votim.

Gafat e Berishës, spektakël më vete në fushatë

Fushata e opozitës këtë vit është shoqëruar me një sërë episodesh të pazakonta nga lideri i PD-së, Sali Berisha, i cili ka tërhequr vëmendjen më shumë për gafat e tij sesa për programin politik. Në një nga mitingjet në Fier, Berisha deklaroi se “Rama do të shpërndajë nga 150 mijë lekë për pensionistët”, duke nxitur reagime të menjëhershme. Në realitet, nuk ekziston asnjë plan i tillë nga qeveria dhe deklarata u konsiderua si një tentativë e dështuar për të përhapur dezinformim.

Në një tjetër dalje publike, ai u ngatërrua gjatë leximit të emrit të një kandidati të koalicionit, duke e quajtur “kandidati ynë për… më falni, harrova emrin”, çka u bë menjëherë viral në rrjete sociale. Këto episode kanë ngjallur jo pak ironi, përfshirë edhe reagime nga vetë qytetarët që kanë komentuar se “Berisha po e saboton vetë fushatën”.
Shpenzimet marramendëse dhe pyetjet pa përgjigje

Nëse PS është mbështetur mbi mekanizmat shtetërorë dhe infrastrukturën e njohur partiake, PD ka bërë një fushatë luksoze, me spote të shumta televizive, reklama në rrjete sociale, eskortë të përforcuar për Berishën dhe organizim masiv në terren. Por burimi i këtyre fondeve mbetet i paqartë. Me Berishën të shpallur “non grata” dhe nën hetim për çështje korrupsioni, zërat për financime jo-transparente janë shtuar. Ndërkohë, KQZ ende nuk ka dhënë një reagim zyrtar për raportimet mbi tejkalimin e tavaneve financiare të përcaktuara në ligj.

Një përballje me tension dhe pritje në ankth

Zgjedhjet e 11 majit do të jenë një test i rëndësishëm jo vetëm për forcat politike, por edhe për besimin e qytetarëve te procesi zgjedhor. Me fushatën që mbyllet sot në një atmosferë të ngarkuar politike dhe me polarizim të thellë mes palëve, e diela do të përcaktojë jo vetëm drejtimin e pushtetit vendor, por edhe ekuilibrat e ardhshëm politikë në vend./Lexo.al