Tiranë, 12 maj 2025 – Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR ka publikuar sot konkluzionet paraprake për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri, duke i cilësuar ato si konkurruese dhe të organizuara në mënyrë transparente, pavarësisht një klime politike të thellësisht të polarizuar.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur në Tiranë, përfaqësuesja e misionit theksoi pjesëmarrjen e gjerë të qytetarëve dhe përkushtimin e tyre ndaj procesit demokratik, duke përfshirë edhe votuesit nga diaspora, të cilët për herë të parë patën mundësinë të kontribuojnë në zgjedhje.

“Populli shqiptar tregoi përkushtim të madh ndaj demokracisë, përkundër një atmosfere të ngarkuar politike. Votuesit brenda dhe jashtë vendit, si edhe vëzhguesit e procesit, ishin zemra e këtij momenti zgjedhor”, u shpreh përfaqësuesja e OSBE/ODIHR.

Misioni vuri në dukje se kandidatët patën hapësira të mjaftueshme për të bërë fushatë në mënyrë të lirë, ndonëse disa subjekte raportuan raste izoluar të presionit dhe intimidimit. Sipas raportit paraprak, procesi i votimit është administruar në mënyrë të shkëlqyer në rreth 95% të qendrave të votimit, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u vlerësua për menaxhimin e një procesi të hapur dhe transparent.

Gjithashtu, OSBE/ODIHR vlerësoi pozitivisht angazhimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila luajti një rol të rëndësishëm në ndjekjen penale të rasteve të dyshuara për krime zgjedhore. Në të njëjtën linjë u përmend edhe funksionalizimi i një mekanizmi të ri ndërinstitucional, i cili lehtësoi shkëmbimin e informacionit ndërmjet institucioneve përgjegjëse.

Megjithatë, raporti thekson se klima e përgjithshme e zgjedhjeve u ndikua nga mungesa e barazisë së kandidatëve, prania e gjuhës përçarëse gjatë fushatës dhe përdorimi i vendimeve të fundit qeveritare që mund të konsiderohen si lëvizje me ndikim elektoral.

“Një vendim i marrë shumë pak ditë para zgjedhjeve për faljen e gjobave, si dhe përdorimi i toneve personale e armiqësore në vend të debateve për ide, ndikuan në cilësinë e diskursit publik”, theksoi përfaqësuesja e misionit.

Për sa i përket mbulimit mediatik, OSBE/ODIHR vëren se dy partitë kryesore dominuan hapësirën në media, ndërsa mungesa e një autoriteti për monitorimin efektiv të fushatës në rrjetet sociale mbetet një boshllëk që kërkon adresim në të ardhmen.

Misioni përfundoi deklaratën duke riafirmuar angazhimin për të bashkëpunuar me institucionet shqiptare në mbështetje të përmirësimit të mëtejshëm të standardeve zgjedhore dhe forcimit të institucioneve demokratike në vend./Lexo.al

DOKUMENTI I PLOTE I RAPORTIT