Bashkimi Europian ka përshëndetur zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, duke përgëzuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe institucionet për mbarëvajtjen e procesit.

Në një deklaratë të përbashkët nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Kos, thuhet se “të dielën, qytetarët e Shqipërisë ushtruan të drejtën e tyre demokratike për të votuar, duke zgjedhur përfaqësuesit e rinj në Kuvend”.

Deklarata vë në dukje se zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente, me një ditë votimi të karakterizuar nga qetësia dhe organizimi i mirë. Për herë të parë, procesi përfshiu edhe votimin nga jashtë vendit, një risi që konsiderohet hap përpara në përfshirjen e diasporës.

Sipas vlerësimeve paraprake të OSBE/ODIHR, procesi zgjedhor u menaxhua në mënyrë profesionale, me pjesëmarrje të gjerë të forcave politike dhe mundësi për zhvillimin e fushatës nga të gjithë kandidatët.

Bashkimi Europian shpreh gatishmërinë për të ndjekur nga afër ecurinë e mëtejshme të procesit deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve dhe nxit të gjitha forcat politike që të mbështesin funksionimin e pandërprerë të institucioneve të vendit.

Në deklaratë theksohet gjithashtu rëndësia e vijimit të reformave për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE, përfshirë përmirësime të mëtejshme në kuadër të reformës zgjedhore.

“Procesi i integrimit europian të Shqipërisë është një objektiv strategjik kombëtar dhe mbështetet gjerësisht nga qytetarët shqiptarë,” thuhet në reagimin e përbashkët të zyrtarëve të lartë të BE-së, të cilët nxisin dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës për të çuar përpara procesin e integrimit.