Një precedent është shënuar sot në KAS, ku Partia Demokratike, në një linjë të përbashkët me Partinë Socialiste, ka rrëzuar kandidatët e vet që kërkuan rinumërim të votave. Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj, Lisandër Hoxha dhe Aulon Kalaja nuk do të mund të vijojnë ankimin, pasi katër anëtarët e KAS – dy nga PS (Bele dhe Lako) dhe dy nga PD (Braho dhe Çefa) votuan kundër legjitimimit të tyre si ankues.

I vetmi që votoi pro ishte Ilir Rusmali, i cili mbrojti të drejtën e çdo kandidati për të kërkuar verifikim të rezultatit personal. Por vota e tij nuk mjaftoi. Vendimi i sotëm shënon një qasje që godet drejtpërdrejt të drejtën individuale të kandidatit, duke e kushtëzuar atë me vullnetin e partisë. Nëse partia nuk do, kandidati nuk ka më zë.

Ajo që e thellon edhe më shumë këtë situatë është fakti se burime të besueshme konfirmojnë se vetë PD ka refuzuar të firmosë kërkesat ankimore të katër kandidatëve të saj në Tiranë. Pra, pavarësisht votave që kanë marrë, ata nuk u lejuan të ankohen as për veten e tyre.

Ndërkohë Berisha tha në deklaratën e sotme se do lejonte transparencën për çdo kandidat të vetin.

Me këtë vendim, PD jo vetëm që nuk mbështeti zërat e saj nga baza, por u bë pjesë e një vendimi që u mohon të drejtën minimale për të kërkuar transparencë. Kandidatët mbetën të përjashtuar nga procesi, jo nga kundërshtari politik, por nga vetë partia që i përzgjodhi dhe i futi në garë./Lexo.al