Artikulli i publikuar nga Lapsi.al tenton të politizojë një çështje të ndjeshme dhe komplekse në organet e drejtësisë, duke e kthyer një ngërç teknik dhe ligjor në një përplasje artificiale me ngjyrime politike të rënda. Kjo qasje jo vetëm që dëmton besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë, por përçan edhe opinionin publik në një moment kur transparenca dhe pavarësia gjyqësore janë më të nevojshme se kurrë.
Gjykata Kushtetuese dhe Holta Zaçaj, mungesë përgjegjshmërie dhe vonesa të paarsyeshme
Në këtë situatë, përgjegjësia kryesore bie mbi Gjykatën Kushtetuese dhe udhëheqjen e saj, përfshirë Holta Zaçajn, e cila duhet të kishte adresuar me prioritet shqyrtimin e kërkesës së Presidentit. Vonesat e pakuptueshme dhe qëndrimi i pakënaqshëm i gjyqtarëve kushtetues kanë krijuar një vakuum ligjor që përkeqëson besimin te drejtësia në vend.
Ky mosveprim bie ndesh me parimet kushtetuese dhe përgjegjësitë që ky institucion ka për të garantuar interpretimin e qartë dhe në kohë të ligjit. Një gjykatë që zvarrit vendimet në një çështje kaq thelbësore nuk mund të pretendojë të jetë garantuesi i shtetit të së drejtës.
Sulmet ndaj Sokol Sadushit një përpjekje e dukshme për të politizuar situatën
Në anën tjetër, sulmet që i bëhen kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në shkrimin e Lapsi.al, përbëjnë një përpjekje të dukshme për të politizuar dhe për të minuar rolin e tij në proceset që lidhen me drejtësinë. Sadushi ka marrë një qëndrim zyrtar dhe institucional për një çështje ligjore.
Kritikat ndaj tij, të paargumentuara dhe me ton sulmues, nuk bëjnë gjë tjetër veçse përkeqësojnë gjendjen dhe krijojnë një klimë presioni ndaj zyrtarëve që përpiqen të veprojnë për të eleminuar zvarritjen.
Politizimi i drejtësisë është rreziku më i madh
Ajo që është e qartë është se përplasja e krijuar nuk është thjesht një debat juridik, por një përpjekje për të ndikuar politikisht në drejtësi dhe për të destabilizuar një proces që kërkon qetësi dhe profesionalizëm.
Në këtë kontekst, artikulli i Lapsi.al përfaqëson një qasje që kontribuon në politizimin e ngërçit, duke cenuar në mënyrë të drejtpërdrejtë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe duke favorizuar një klimë konfrontimi dhe përçarjeje.
Situata në Gjykatën Kushtetuese kërkon zgjidhje të mençura, të paanshme dhe të bazuara mbi Kushtetutën dhe ligjin, jo sulme politike apo qëndrime që synojnë përçarjen dhe politizimin e institucioneve.
*Sqarim, Lexo.al e bën këtë shkrim duke qenë se e ka ndjekur këtë çështje e cila ka një koherencë për çështjen dhe me median tjetër të cilës, Lapsi.al i referohet, konkretisht Shqiptarja.com.
Artikulli i shkruar nga Hermes Kafexhiu