Kreu i PD-së, Sali Berisha denoncoi ditën e djeshme një rast si të dyshuar për krime zgjedhore në Peqin, sipas tyre të manipulimit të votave përmes të ashtuquajturit “treni bullgar”.
Pas këtij pretendimi të Berishës policia njoftoi sot se ka sekuestruar 10 fletë votimi të falsifikuara në një lokal fshatin Pekisht, Peqin.
Në njoftimin zyrtar për mediat bëhet me dije se ka nisur hetimi në gjendje të lirë për pronarin e lokalit, Dervish Beqiri.
Gjatë kontrolleve të kryera atij iu sekuestruan gjithashtu 280 000 lekë, ndërsa në banesë iu gjet një pushkë e vjetër trofe dhe një pistoletë zhurmuese (sportive).
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin, pas njoftimit të marrë më datë 22.05.2025, se në një lokal në fshatin Pekisht, ishin gjetur disa materiale të dyshuara zgjedhore, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, me qëllim verifikimin e rastit.
Gjatë veprimeve të kryera në vendngjarje, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, në lokalin e shtetasit D. B., janë gjetur dhe sekuestruar 10 fletë të ngjashme me fletët e votimit, të paplotësuara, të dyshuara të falsifikuara, si dhe një listë emërore e zgjedhësve. Gjithashtu, është sekuestruar portofoli i shtetasit D. B., me 280 000 lekë.
Më tej, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit D. B., janë gjetur një pushkë e vjetër trofe dhe një pistoletë zhurmuese (sportive).
Në vijim të veprimeve për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin referuan materialet procedurale në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. B., për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.