Policia e Shtetit nuk i ka dhënë leje PD për protestën e thirrur në datën 16 Maj, ditën që përkon me Samitin Politik Evropian që do mbahet në kryeqytet.

Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje negative për protestën, me sqarimin se nuk lejohet për shkak të perimetrit të sigurisë të përcaktuar për samitin.

Për mbarëvajtjen e samitit, uniformat blu kanë ndërmarrë masa duke bllokuar ose devijuar disa akse kryesore.

Të premten (16 Maj) nga ora 06:00 deri më 18:00 do të ketë bllokim të plotë të qarkullimit të automjeteve dhe këmbësorëve në zonën ku do të zhvillohet Samiti, përfshirë: Nga kryqëzimi me bulevardin “Zhan d’Ark” deri në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri”, segmentin e rrugës “Myslym Shyri” nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rrugova” deri në kryqëzimin me bulevardin “Dëshmorët e Kombi”, rrugën “Ibrahim Rrugova” nga kryqëzimi me rrugën “Myslym Shyri” deri në kryqëzimin me rrugën e Kavajës, rrugën “Ded Gjo Luli”, rrugën “Urani Pano” në vazhdim rrugën e Barrikadave deri në kryqëzimin me rrugën “George W. Bush” dhe bulevardi “Zogu i I” deri te tuneli i “ish-Cirkut”.