Tiranë, Maj 2025 – Zgjedhjet parlamentare të 11 majit kanë sjellë një valë të fortë ndryshimi në skenën politike shqiptare, duke përmbysur pritshmëritë për shumë figura të njohura. Ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe rritja e rolit të votës preferenciale ka riformatuar përbërjen e Kuvendit të ardhshëm, ndërsa shumë emra me peshë nuk arritën të ruajnë mandatet e tyre.

PS: Ikje nga skena për emra me traditë
Një nga goditjet më të forta brenda Partisë Socialiste u regjistrua në qarkun e Tiranës, ku Pandeli Majko, një veteran me nëntë legjislatura në Kuvend dhe ish-Kryeministër, nuk arriti të sigurojë një mandat. Në vitin 2021 ai kishte marrë 8,790 vota, por këtë vit shifra ra në 4,357 vota në territor dhe 2,379 nga diaspora, duke mos mjaftuar për të kaluar herësin.

Një tjetër rënie e theksuar u vu re në rastin e Etjen Xhafajt, i cili në vitin 2021 kishte grumbulluar mbi 12,700 vota, ndërsa këtë vit mezi mblodhi 1,054 brenda vendit dhe vetëm 142 vota jashtë, duke humbur plotësisht shpresat për mandat.

Arben Pëllumbi, deputet në dalje i PS-së, gjithashtu nuk arriti të sigurojë një mandat duke pësuar një rënie nga 3,774 vota në 2021 në vetëm 1,821 në 2025. Rënia u shoqërua me përplasje të brendshme në listë, ku preferencat e zgjedhësve ndëshkuan figurat më pak aktive në publik.

Mimi Kodheli, ish-ministre e Mbrojtjes dhe një nga figurat më të njohura të PS-së, e ndjeu gjithashtu efektin e listave të hapura. Ajo shënoi 3,790 vota, duke rënë me mbi 1,800 vota nga rezultati i saj i vitit 2021.

PD dhe Euroatlantikët: Rënie e lirë në numra dhe ndikim
Nga kampi blu, goditja më e madhe erdhi për Lulzim Bashën, ish-kryetar i PD-së, i cili në zgjedhjet e 2021 kishte marrë mbi 16 mijë vota, ndërsa në 2025, në kuadër të një aleance me forcat euroatlantike, nuk arriti as 2,000 vota. Ky rezultat shënon një rënie dramatike të ndikimit të tij personal në skenën politike.

Enkelejd Alibeaj, një tjetër emër i rëndësishëm në PD, provoi të fatin me një logo të re, por me vetëm 330 vota në 2025, përkundrejt 5,225 në 2021, u vendos përfundimisht jashtë skenës parlamentare.

Fati nuk i buzëqeshi as Edmond Spahos, ish-kryetar grupi parlamentar në PD, i cili humbi mbi 3,000 vota krahasuar me 2021. Duke mos siguruar një mandat, Spaho la të kuptohej tërheqjen përfundimtare nga politika aktive.

Çfarë po ndryshon?
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve tregojnë qartë se modeli tradicional i mbështetjes për “emrat e mëdhenj” po zbehet. Votuesit kanë preferuar fytyra më aktive, më të pranishme në komunitet dhe me një profil më të qartë përfaqësimi. Lista e hapur, ndonëse në disa raste ende e paqëndrueshme, ka ndryshuar lojën politike në Shqipëri.

Në përbërjen e re të Kuvendit mungojnë mbi gjysma e deputetëve aktualë – një ndryshim që i detyron partitë të rishikojnë seriozisht mënyrën si përzgjedhin dhe promovojnë kandidatët. E sigurt është se për shumë prej figurave të njohura të tranzicionit, 11 maji 2025 do të mbahet mend si fundi i një epoke./LEXO.AL