Një shpërthim ka ndodhur brenda rrethimit të burgut të Fushë-Krujës mbrëmjen e sotme. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22: 45, ndërsa në polici ka mbërritur një telefonatë se brenda rrethimit të burgut është dëgjuar një zhurmë.
Burime bëjnë me dije se nuk është e qartë çfarë ka shpërthyer, pasi në vendin ku mendohet të ketë ndodhur shpërthimi ndodhen disa gjeneratorë dhe gabina elektrike.
Deri më tani dyshohet se ka plasur gjeneratori i energjisë elektrike, por po verifikohet se mos është lëndë plasëse.
Policia ndodhet në vendngjarje, ndërsa nuk ka të lënduar në njerëz, ndërsa shpërthimi është dëgjuar nga ana e administratës së burgut.
‘Krujë/Informacion paraprak. Rreth orës 22:45, ka ardhur një telefonatë në sallën operative të DVP Tiranë, se është dëgjuar një shpërthim brenda perimetrit të IEVP Fushë-Krujë. Nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar dhe as dëme materiale’, njoftoi sot policia.
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave të rastit dhe përcaktimin e llojit të shpërthimit.