Tirana, 1 Maj – Nisja e muajit Maj shënon jo vetëm fillimin e verës politike, por edhe hyrjen e Shqipërisë në fazën më të nxehtë të fushatës zgjedhore. Vetëm pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare që do të përcaktojnë kush do të qeverisë vendin në katër vitet e ardhshme. Në sfondin e një fushate të polarizuar, përplasjet politike janë po aq të forta brenda vetë partive, sa edhe mes kampeve kundërshtare.
Një betejë për historinë… dhe për mbijetesën

Partia Socialiste synon mandatin e katërt radhazi – një rekord që do ta bënte formacionin e parë në historinë e pluralizmit që arrin një dominim kaq të gjatë. Përballë saj, Partia Demokratike kërkon një rikthim triumfal, duke ndjekur një retorikë të ashpër dhe një model të frymëzuar nga strategjitë amerikane. Ndërkohë, partitë e reja shfaqen me ambicien për të thyer duopolin tradicional dhe për të përfaqësuar zërin e votuesve të zhgënjyer.
Zgjedhjet nuk janë më thjesht përballje mes të majtës dhe të djathtës, por edhe një luftë e brendshme për mbijetesë politike.
Fushatë me përplasje: “Kundërshtarët janë brenda nesh”
Përplasjet më të hapura deri tani kanë ndodhur brenda radhëve të Partisë Socialiste. Figura si Erion Braçe nuk kanë ngurruar të kritikojnë hapur strukturat lokale të PS-së në Tiranë, duke i akuzuar për sabotim dhe fraksionim të brendshëm. Braçe, i spostuar nga zona tradicionale elektorale, nuk është kursyer në kritika ndaj Anila Shehut, të cilën e ka kërcënuar edhe me kallëzim penal.
Ndërkohë, në kampin opozitar, përçarja më e dukshme mbetet ajo midis Monika Kryemadhit dhe Partisë së Lirisë, të cilën ajo nuk heziton ta godasë me mesazhe të koduara. Edhe pse e larguar nga Ilir Meta, mbështetja e saj për fushatën e tij nga qelia është e qartë.
Akuzat që pushtojnë titujt: nga batutat te kallëzimet penale
Liderët e partive nuk kanë hezituar të përdorin retorikë të ashpër. Kryeministri Rama vijon me metafora të goditura për të përshkruar kundërshtarët, ndërsa Berisha i referohet qeverisë si të kapur nga krimi. Në këtë klimë tensioni, edhe partitë e reja nuk kanë mbetur pas: Adriatik Lapaj ka paditur Agron Shehajn për shpifje, një përplasje që tashmë është në duart e drejtësisë.
Hetime, arrestime dhe hijet e manipulimit
Fushata është shoqëruar nga denoncime për blerje votash, sidomos në Fier dhe Lushnje, ku janë bërë arrestimet e para. SPAK dhe prokuroritë lokale janë përfshirë në hetime që po thellohen për çdo ditë. Përplasjet fizike mes kandidatëve dhe akuzat për presion mbi votuesit kanë zbehur edhe më shumë besimin në integritetin e procesit.
Një fushatë e veshur me simbolika dhe spektakël politik
Edi Rama ka zgjedhur të shfaqet me uniformë që përçon mesazhin e numrit 5, ndërsa Berisha, me stilin e një lideri populist, ka përqafuar veshje tradicionale dhe një narrativë që ngjan me atë të Donald Trump. Në sfond qëndron këshilltari republikan Chris LaCivita, që duket se ka shtuar dozën e retorikës “alla Trump” në fushatën e liderit opozitar.
Nga qelia në fushatë: Ilir Meta kërkon mandat nga burgu
Një nga zhvillimet më të pazakonta të këtyre zgjedhjeve është pjesëmarrja e Ilir Metës nga burgu “313”. I vendosur në listën e hapur të Tiranës, Meta po mbështetet fuqishëm nga familja dhe bashkëpartiakët e tij për të siguruar një mandat që mund t’i hapë rrugën lirisë dhe rikthimit në jetën politike aktive.
Diaspora në lojë për herë të parë
Zgjedhjet e 11 majit sjellin edhe një tjetër risi: votën e diasporës. Mbi 117 mijë zarfe janë rikthyer për numërim, megjithë problemet logjistike në disa shtete si Greqia. Ky element mund të bëhet faktor kyç në garën e ngushtë në disa qarqe.
Sondazhet flasin, por politika i sfidon
Sipas projeksioneve, PS mban ende epërsinë, por opozita shpreson në një “mrekulli” si ajo e Trump në SHBA. Partitë e reja si ato të Lapajt e Shehajt po fitojnë terren, ndërsa pjesa tjetër e spektrit të djathtë duket e fragmentuar dhe me ndikim të kufizuar.
Një dekadë politike do të vendoset në 11 maj. Ajo që mbetet për t’u parë, është nëse qytetarët do të zgjedhin më të njëjtët, apo do të hapin një kapitull të ri në historinë e pluralizmit shqiptar./Lexo.al