Në takimin ministerial të Procesit të Berlinit, të Ballkanit Perëndimor, mbi Ekonominë Kreative në Kotor të Malit të Zi, u shpall edhe Paketa e Përkrahjes për Ekonominë Kreative.

Kjo shpallje u bë në drejtimin e të Ngarkuarës Speciale të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të Zyrës Qendrore të British Council, në prezencë të përfaqësuesve të Bankës Botërore, institucioneve dhe organizatave partnere.

I pranishëm ka qenë edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili ka theksuar progresin.

Theksuam progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe zhvillimet pozitive në sipërmarrjet e reja, ekonomi, turizëm, inovacion e teknologji. Ekonomia kreative s’është më alternativë, por një motor zhvillimi që mund të gjenerojë deri në 700 milionë euro vlerë të shtuar në ekonomi dhe mbi 70 mijë vende pune në Shqipëri!”, shprehet ministri në postimin e tij, në rrjetin social Facebook.

Ai shpjegoi mes të tjerash se raundi i parë i fondeve nis menjëherë, ndërsa i dyti zyrtarizohet në muajin tetor në Londër.

“Raundi i parë i fondeve nis menjëherë, ndërsa i dyti zyrtarizohet në tetor në Londër. Shqipëria po afirmohet si një aktor me dinjitet në hartën kulturore dhe ekonomike të Evropës, ku ngritja e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit u çmua si një shembull domethënës i qeverisjes, në përputhje me agjendën globale të zhvillimit ekonomik të qendrueshëm e inovativ!”, shprehet ministri Gonxhja.