Nga Hermes Kafexhiu
Sot, Erion Veliaj mbush 100 ditë në qeli. Një datë që shumë e lexojnë si simbol për një kthesë në karrierën e tij. Por për politikën në Tiranë, kjo shifër është më shumë se kaq – është një pikë reflektimi për një proces që nisi vite më parë: çmontimin sistematik të LSI-së dhe Ilir Metës nga harta politike e kryeqytetit.
Nuk ishte rastësi, nuk ishte valë e kohës, as rrjedhë spontane. Ishte rezultati i një operacioni politik të drejtpërdrejtë, të menduar dhe të zbatuar me disiplinë. Erion Veliaj, në rolin e drejtuesit politik të PS-së për Tiranën në vitin 2021, ndërmori një seri lëvizjesh që në momentin që ndodhën nuk patën bujë, por që sot lexohen si pika kthese fatale për strukturën e LSI-së në kryeqytet.
Ai nuk sulmoi Metën në publik. Nuk ndërtoi betejë personale. Ai nuk bëri zhurmë. Por ndërtoi rrjetin e vet në çdo njësi. Identifikoi piketat kyçe të LSI-së, krijoi alternativa brenda komunitetit, i thithi një e nga një njerëzit e rëndësishëm të strukturës dhe i futi në orbitën e bashkisë apo të PS-së. Pa fjalë të mëdha. Me llogari të ftohtë.
Përballë këtij procesi, Ilir Meta nuk kishte as analizë dhe as reagim. Ai vijonte të mbështetej te një parti që në letër kishte strukturë, por që në terren po boshatisej dita-ditës. Kur nisi fushata e 2021-shit, LSI-ja në Tiranë ishte një makinë politike që dukej në rregull nga jashtë, por që kishte mbetur pa motor.
I pashmangshëm: rënie drastike në votë, fragmentim i brendshëm, dhe sot në 2025 një parti që mezi merr 8 mijë vota në Tiranë, aty ku dikur kishte mbi 60 mijë.
Veliaj e kuptoi që LSI-ja nuk duhej luftuar në shesh me pankarta. Duhej përthithur nga brenda. Dhe këtë e bëri me përpikmëri. Sot, shumë nga ata që dikur ishin “strukturë LSI-je” janë mbështetës të Partisë Socialiste, të vendosur në struktura.
Ilir Meta u çvesh nga baza reale në Tiranë, dhe ajo që mbeti ishte një parti në emër, pa ndikim, pa fuqi veprimi dhe pa terren.
Sepse asnjë gjykatë nuk është më e ashpër se gjykata e votës. Dhe në Tiranë, ajo ka folur qartë: Veliaj fitoi. Meta humbi. Jo sot. Por që në 2021.
Erion Veliaj është sot në qeli. Por ajo që ndodhi në Tiranë nuk shlyhet me burg. As me hetim.
Dhe as me propagandë. Sepse çfarëdo të ndodhë me të në planin personal, fakt mbetet që ai është arkitekti i zhbërjes së forcës më të strukturuar të Ilir Metës në Shqipëri.
Të gjithë ata që e njohin Tiranën e dinë: askush tjetër nuk ia hoqi Metës Tiranën. As Rama, as opozita, as drejtësia.
Vetëm një, Veliaj.
Me metoda që nuk kërkuan bujë – por që prodhuan një boshllëk të plotë në hartën elektorale të LSI-së. Dhe nëse sot Partia e Lirisë është një hijë e vetvetes, sidomos në Tiranë, ky është një rezultat i projektuar dhe i ekzekutuar, jo një aksident.