Ilir Meta ka folur nga paraburgimi i burgut 313, por mesazhi që dha tejkalon qelinë, është një paralajmërim i qartë politik, që sinjalizon një ndarje të pashmangshme nga Sali Berisha. Jo një akt i menjëhershëm, por një proces i ftohtë distancimi që Meta po e orkestron me kujdes, me pragmatizëm dhe mbi të gjitha me synimin për të mos u mbytur bashkë me një projekt opozitar të rrënuar.
Në intervistën e dhënë për “Syri”, kreu i Partisë së Lirisë deklaroi se tashmë, pas rikthimit të vulës së PD-së në duart e palës zyrtare, PL do të garojë më vete në zgjedhjet vendore që priten në disa bashki.
“Do të garojmë me siglën tonë në të gjitha Këshillat Bashkiakë,” tha Meta, duke nënvizuar fillimin e një etape të re për partinë e tij.
Në plan të parë, ky mund të duket si një reagim teknik ndaj ndryshimeve ligjore në opozitë. Por në të vërtetë, është shumë më tepër, është një ndarje e heshtur nga Berisha një lider që Meta e ndihmoi për të mbijetuar kur ai nuk kishte as logo, as vulë, as bazë institucionale.
Tani që PD-ja zyrtare ka rimarrë legjitimitetin formal, Meta nuk ka më arsye as politike, as elektorale, për të vazhduar një bashkëpunim që vetëm e ka dëmtuar.
Sali Berisha është prej kohësh nën masën e “detyrimit për t’u paraqitur”, në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e njohur të privatizimit të kompleksit “Partizani”.
Ai është një lider në konflikt të përhershëm me drejtësinë, me institucionet dhe me çdo zë kritik, i zhytur në një betejë personale që ka kapërcyer dimensionin politik. Ndërsa Meta, pavarësisht se ndodhet vetë në paraburgim për një çështje që po hetohet, ruan instinktin politik për të kuptuar se koha e aleancave me burime të ekspozuara është drejt fundit.
Aleanca mes Metës dhe Berishës, e vulosur më 27 tetor 2022, ishte që në fillim një martesë interesi. Meta kishte strukturat, Berisha kishte nevojën. Por marrëveshja funksionoi vetëm në planin teknik, jo në atë elektoral. Rezultatet e zgjedhjeve vendore të 2023 ishin një dëshmi e qartë, opozita humbi thellë dhe nuk mundi të prodhonte as shpresë, as ndryshim. Koalicioni “Berisha-Meta” nuk ishte sinergji, por bllokim i ndërsjellë.
Meta është politikan i vjetër, por jo naiv. Ai ka nuhatjen për të dalluar kur një projekt është i djegur. Dhe me Berishën të zhytur gjithnjë e më thellë në përplasjen me drejtësinë, me një PD që sapo ka nisur të riformatohet nën presionin e realitetit politik dhe me mungesën e qartë të çdo strategjie bashkërenduese, largimi nga kjo aleancë është më shumë se zgjedhje, është mbijetesë.
Rikthimi i Metës te gara me logon e Partisë së Lirisë, promovimi i figurave të reja si Tedi Blushi, nisja e analizës përbrenda partisë të gjitha janë lëvizje që e përgatisin një dalje të butë nga hije e Berishës. Dhe në heshtje, një përpjekje për të rifituar terren të humbur dhe identitet të humbur.
Ky është fundi real i një aleance që nuk i dha opozitës as fitore, as shpresë. Meta e ka kuptuar se nuk mund të rindërtojë veten në hijen e një figure që lufton vetëm për të shpëtuar veten. Dhe ky distancim, sado i moderuar të tingëllojë tani, është një hap i madh në një drejtim të qartë: larg Berishës dhe drejt një llogarie të re, ku Meta do të matet më shumë me veten – dhe më pak me aleatët që nuk fitojnë më as simbolikisht./Lexo.al