Tiranë – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar procedimin penal nr. 27/2024, duke i shtuar akuza të reja ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa. Sipas njoftimit të SPAK, të dyshuarit janë përfshirë në veprat penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”, parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal. Ky zhvillim ka ndodhur pas hetimeve të mëtejshme që kanë nxjerrë në pah dyshime të arsyeshme për fshehje pasurie dhe pastrim parash.

Në vijim të hetimeve, më datë 20 maj 2025, SPAK ka kërkuar dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka miratuar vendimin nr. 342 Akti, duke caktuar masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasurinë e paluajtshme të regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) në emër të subjektit tregtar “A. K.” shpk. Sipas hetimeve, ekziston dyshimi i arsyeshëm se Veliaj dhe Xoxa kanë interesa pasurore faktike mbi dy pasuri, njëra prej të cilave është shtesë pasurie, të cilat ndodhen pranë apartamentit të tyre në Selitë, në rezidencën “Kodra e Diellit”, ku aktualisht ata jetojnë.

Ky zhvillim vjen pas një serie hetimesh që kanë përfshirë disa vepra penale, përfshirë korrupsionin pasiv dhe aktiv, pastrimin e produkteve të veprës penale, refuzimin ose deklarimin e rremë të pasurive dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Hetimet janë bazuar në kallëzimin e shtetasit Nesti Angoni dhe janë mbështetur nga provat e administruara nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH).

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.